Bota Greqia kërcënon Turqinë: Kemi nisur një program të madh armatimi

Greqia kërcënon Turqinë: Kemi nisur një program të madh armatimi

Kryeministri grek Kyrjakos Mitsotaqis ka përdorur gjuhën e forcës ndaj presidentit turk Rexhep Taip Erdogan pasi ky i fundit hodhi akuza ndaj Presidentes Katerina Sakellaropoulou.

Mitsotaqis u kujtoi turqve se Greqia ka nisur një program të madh armatimi, nëpërmjet të cilit do te përmirësojë aftësitë operacionale për veprim nga ajri dhe deti për të parandaluar çdo provokim turk në Mesdheun Juglindor. Për Greqinë, Turqia fqinje nuk duhet që të këmbëngulë në retorikën agresive, por të angazhohet në dialog të sinqertë dhe jo të bazuar në marifete.

“Ne jemi fqinjë, do të jemi fqinjë përgjithmonë. Ne jemi të dënuar nga gjeografia të jetojmë së bashku. I takon Turqisë që të zgjedhë rrugën e bashkëpunimit ose rrugën e tensionit.  Ne jemi të përgatitur për të dy skenarët, e kemi dëshmuar në praktikë këtë. Dera e dialogut është e hapur dhe aftësia ime për të folur me Presidentin Erdogan ka ekzistuar gjithmonë”, tha Mitsotaqis.

Greqia ka ngritur linjat e mbrojtjes diplomatike dhe ushtarake, duke krijuar aleanca me fuqi të mëdha me Francën dhe Shtetet e Bashkuara. Prania ushtarake amerikane në Aleksandropolis është e rëndësishme.

E gjithë çështja me Turqinë shpjegoi Mitsotakis është doktrina ushtarake e disa gjeneralëve të vendit fqinj e quajtur “Atdheu Blu” që sipas tij sfidon të drejtat sovrane greke në Detin Mesdhe.

Mitsotakis tha se nuk shqetësohet për mundësinë e një përplasjeje ushtarake me Turqinë duke paralajmëruar se javën e ardhshme do të ulen në Greqi avionët e parë luftarakë të prodhuar në Francë “Rafale”.

Qeveria greke ka paguar 2.32 miliardë euro për të blerë 18 avionë të tillë. Greqia do të shpenzojë 11.5 miliardë euro për modernizimin e forcave të saj të armatosura gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.