Bota Greqia ndalon përdorimin e celularit gjatë orarit të mësimit

Greqia ndalon përdorimin e celularit gjatë orarit të mësimit

Nxënësit e shkollave në Greqi do të detyrohen t’i mbajnë telefonat e tyre në çantë gjatë gjithë kohës që do të zhvillohet viti akademik, i cili nis më 11 shtator.

Rregullorja e re e shkollës u paraqit pas një takimi mes kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministrit të Arsimit, Kyriakos Pierrakakis.

“Nxënësit mund t’i sjellin telefonat në shkollë, por ata duhet t’i mbajnë brenda çantës gjatë gjithë ditës që do të jenë në shkollë”, tha kryeministri grek.

“Të dhënat shkencore se si përdorimi i celularëve gjatë ditës në shkollë ndikon në vetë procesin e të mësuarit janë trishtuese. Nga shpërqendrimi, në çështje të tjera të rëndësishme, është e qartë se celularët nuk kanë vend në shkollë gjatë ditëve të mësimit”, vijoi ai.

Sipas rregullave të reja, nxënësit që nuk e respektojnë rregulloren, do të përjashtohen nga shkolla për 1 ditë. Në rast të shkeljeve të përsëritura, mësuesit mund t’i nxjerrin ata nga orët mësimore për disa ditë. Kushdo që filmon shokët e klasës ose mësuesit pa leje, mund të përballet me përjashtim.

“Ne nuk presim domosdoshmërisht që të pajtoheni 100% që nga dita e parë, por duam që fëmijët, prindërit dhe kujdestarët e tyre të kuptojnë rëndësinë e fokusimit të nxënësve tërësisht në procesin arsimor në shkollë”, u shpreh Mitsotakis.

Rregullat i janë shtuar propozimit të paraqitur në mars, pas një ngjarjeje ku disa studentë u përjashtuan nga shkolla, për shkak se filmuan shokët e klasës dhe u tallën me ta në internet.

Kjo nuk është hera e parë që në Greqi është krijuar një sistemi i tillë për përdorimin e celularit në shkollë, të cilin zyrtarët e kanë quajtur një “shpërqendrim të rëndësishëm”.

Më parë, në vitin 2002, ishte vendosur edhe një ndalim i përgjithshëm i celularëve në shkolla, por mësuesit u shprehën se e kishin të vështirë ta zbatonin rregullin.