Parlamenti grek ratifikoi sot marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas marrëveshjes së firmosur që në 11 maj 2018.
Kjo do të thotë se me një patentë shqiptare mund të udhëtohet lehtësisht në Greqi, pa dashur të marrësh patentë ndërkombëtare, dhe anasjelltas edhe për grekët që vijnë në Shqipëri. Kjo vlen për të gjithë ata shqiptarë që udhëtojnë përkohësisht drejt Greqisë për arsye familjare, pune apo pushime.
Nga kjo marrëveshje, e cila mori fuqi zbatimi sot në parlamentin grek, shqiptarët kursejnë rreth 700 euro dhe nuk ka më nevojë që të kryejnë nga e para procedurat për t’u pajisur me leje drejtimi.
Ditmir Bushati, ministri që ka nënshkruar marrëveshjen me palën greke ka përshëndetur votimin me anë të një postimi në rrjetin social Facebook. Për ish-ministrin kjo është një tjetër arritje që pason marrëveshjen për përdorimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit, heqjen e rezervës për përdorimin e vulës apostile për dokumentet, si dhe regjistrimin pranë zyrave konsullore të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi nga një ose dy prindërit që nuk kanë leje qëndrimi të rregullt.
“Është kjo arsyeja që me Greqinë duhet të vijojmë angazhimin e nisur të një politike të hapave të vegjël por të sigurtë. Të një politike që parashtron çështjet dhe skicon rrugëzgjidhje për qytetarët në interes të dy vendeve tona”, thotë ai.
Me 11 maj 2018 dy ish-ministrat e jashtëm Ditmir Bushati dhe Niko Kotzias firmosen ne Sunio marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të patentave mes dy vendeve.
Gjithashtu sipas kësaj marrëveshje, të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë përkohësisht drejt Greqisë për arsye familjare, pune apo pushime nuk do të kenë më nevojë të pajisen me leje drejtimi ndërkombëtar.