Qeveria greke ka në plan një program që do të përforcojë armatimin e ushtrisë së vendit. Nga këto ndryshime do të përfitojë këmbësoria, flota ajrore dhe ajo detare.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, por ky i fundit nuk ka dhënë detaje konkrete.
Njoftimi përfundimtar për këtë program të armatimit ushtarak të Greqisë do të bëhet nga vetë Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në datat 12-13 Shtator në një aktivitet që do të zhvillohet në Selanik, pasi të jetë kthyer nga vizita zyrtare në Francë.
Më 10 Shtator, Kryeministri Mitsotakis do të zhvillojë një takim në Korsikë me Presidentin francez Emanuel Macron, me të cilin pritet të finalizojë një marrëveshje për armatimin ushtarak.
Greqia pritet që të blejë armatim të ri për ushtarët, si dhe avionë të rinj luftarakë. Ndërkohë, shteti grek është në diskutime edhe me vende të tjera për blerjen e pajisjeve mbrojtëse ushtarake.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur tensionet mes Greqisë dhe Turqisë kanë arritur pikun. Shkak janë bërë kërkimet për gaz natyror nga ana e Turqisë në Mesdheun Lindor.