Kapetanos Giorgos e ka shpenzuar pjesën më të madhe të dimrit si zakonisht, duke peshkuar në ishullin e vogël grek Gavdos, jo shumë larg Kretës.
Tani që Greqia do i çelë dyert turistëve më 14 maj, Giorgos dhe familja e tij kanë nisur të përgatisin tarracën e restorantit të tyre për një fluks turistësh.
Greqia do të lejojë turistë nga Europa dhe gjetkë pa detyrim karantine, ndërsa në po të njëjtën datë do të hiqen edhe kufizimet e orës policore.
Të ardhurat nga turizmi janë rreth një e katërta e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Greqisë, ndërsa 16 për qind e popullsisë është e punësuar në këtë sektor, por që prej fillimit të pandemisë, rreth 65 mijë vende punë konsiderohen të humbura.
Popullsia e Gavdosit, në periudhën e jashtë sezonit, është rreth 100 banorë dhe Giorgos thotë për Euronews se banorët “thuajse nuk e vunë re fare pandeminë gjatë dimrit”.
“Jeta vazhdoi si zakonisht”, thotë ai, “por çdo gjë ndryshon kur vjen vera”.
Të gjithë banorët e ishullit kanë marrë të dy dozat e vaksinës, në kuadër të planit të qeverisë greke ku prioritet ishte imunizimi i banorëve të ishujve të vegjël.
Zyrtarët pranojnë se i gjithë procesi nuk ka qenë i lehtë.
“A e imagjinoni çdo të thotë të transportosh qindra doza, në kushte frigoriferike, me avion ose me varkë. Ka qenë një punë e madhe”, thotë për Euronews kryetari i bashkisë së Astipaleas Nikolaos Komineas.
Komineas tregon se ndihet i lumtur nga fakti që sheh banorët që kanë nisur të lyejnë dyert dhe dritaret, traditë e përhershme për pritjen e turistëve.
“50 për qind e ekonomisë tonë varet nga turizmi”, thotë ai, “por edhe ata që punojnë në sektorë të tjerë, përfitojnë nga ardhja e turistëve”, shpjegon Komineas.
Sfidat mbeten
Por COVID-19 nuk është larguar akoma. Më 12 maj, numri i rasteve të reja ishte mbi 2 mijë ndërsa 707 pacientë janë të intubuar.
Deri më tani, vetëm 13 për qind e popullsisë i kanë marrë të dy dozat. Greqia renditet në vend të tetë në BE për sa i përket përqindjes së personave të vaksinuar.
Vetëm 63 për qind e moshës mbi 80 vjeç është vaksinuar, ndërsa në vende të tjera, si për shembull Spanja, kjo grup moshë është tashmë e imunizuar.
Sipas zyrtarëve, sfida që mbetet është skepticizmi ndaj vaksinës.
Marios Themistocleous, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë tha se grekët po ngurojnë të vaksinohen me AstraZeneca për shkak të raportimeve për mpiksje gjaku.
“Dezinformimi i përhapur në rrjete sociale ka bërë që shumë të moshuar të vendosin të mos vaksinohen”, thotë Giannis Galanopoulos, kryetari i federatës së mjekëve në Greqi.
Greqia ishte shteti i parë në Mesdhe që i çeli dyert edhe shteteve që nuk janë anëtare në BE, ndërsa duket se edhe Italia e Spanja do të ndjekin të njëjtën rrugë.