Greqia ka dhënë mbështetjen për iniciativën e fundit rajonale Ballkani i Hapur. Zëvendësministri i Jashtëm, Militiadis Varviciotis, tha se është e gabuar të bëhet dallimi mes integrimit ekonomik dhe atij politik të Ballkanit Perëndimor.
“Të gjitha nismat si mini-Shengeni apo Tregu i Përbashkët Rajonal, janë të mirëseardhura dhe mund të shërbejnë si një vlerë e shtuar për modernizimin e mëtejshëm dhe integrimin rajonal në rrugën e vendeve të rajonit drejt BE-së.
Ne shpresojmë që sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me kushtet e përcaktuara të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.
Varviciotis shpreson se samiti BE-Ballkan Perëndimor më 6 Tetor, i organizuar nga presidenca sllovene, do të jetë një hap më tej drejt konvergjencës ekonomike të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Varviciotis shprehu besimin se plani i investimeve evropiane për Ballkanin Perëndimor, me rreth 29 miliardë Euro mund të sigurojë një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm te rajonit i nevojshëm. Numri dy i diplomacisë greke ka njoftuar se një forum ballkanik do të mbahet më 15 Shtator në Selanik.