Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke, ambasadori Theocharis Lalakos, po shkon në Shqipëri, pas udhëzimeve të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, njoftoi Ministria e Jashtme greke.
Sipas njoftimit, diplomati i lartë grek Lalakos do të takohet me Fredi Belerin që ka rezultuar fitues në zgjedhjet e së dielës për Bashkinë e Himarës dhe Pandeli Kokaveshin, të cilët ndodhen në qelitë e paraburgimit nën akuzat për blerje votash.
Sekretari i Përgjithshëm do të informohet për gjendjen e tyre shëndetësore dhe kushtet e ndalimit, vlerëson Ministria e Jashtme greke.
Gjatë së mërkurës ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi vizioti Belerin në qelitë e paraburgimit në Vlorë dhe pas vizitës nuk iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me takimin.
Tirana dhe Athina zyrtare shkëmbyen replika pas arrestimit të Fredi Belerit dy ditë para zgjedhjeve vendore në Shqipëri.
Pas vendimit të gjykatës së Vlorës për lënien në me burg të Fredi Belerit, Ministria e Jashtme greke e cilësoi vendimin “skandaloz, nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme.
Ministria e Jashtme greke tha se “arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk fliste për shtet ligjor në Shqipëri”.
Mbi çështjen ndërhyri me deklarata disa herë dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili madje përdori tone kërcënuese ndaj Shqipëri, duke paralajmëruar se kjo ngjarje do të ndikonte në rrugëtimin e saj të integrimit europian.
Qeveria shqiptare replikoi përmes ministres së Jashtme Olta Xhaçka ndaj deklaratave të zyrtarëve grekë, ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh për këtë çështje, pas fitores së thellë të partisë socialiste në zgjedhjet e së dielës.
“Dua të respektoj zgjedhjet në Greqi e të mirëkuptoj nxehjen e retorikës duke u përpjekur për sa më shumë urtësi e vetëpërmbajtje nga ana ime e ana jonë”./VOA