Autoritetet e Policisë greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kakavijë, sqarojnë se për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke, do të ketë një ndërprerje të punës, duke filluar nga dita e nesërme, datë 17 shkurt, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 18 shkurt.
Në një njoftim për mediat, stacioni i Policisë Kufitare Kakavijë sqaron se gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.
Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla, medikamente dhe automjetet për raste emergjente.
Policia Kufitare e Kakavije u bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.