Pjesa më e madhe e kontrollorëve ajrorë të shoqëruar në polici një natë më parë janë liruar nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Nga 24 persona në total të shoqëruar, kanë mbetur vetëm tre: Armando Fezga, kreu i Sindikatës së Kontrollorëve Ajrorë, Flora Ndreca, me pozicion pune përgjegjëse turni dhe Muhin Mezini.
Sipas avokatit të tyre, Rezart Kthupi, të gjithë kontrollorët u intervistuan dhe pasi kanë dhënë shpjegime për situatën janë lënë të lirë. Ai shtoi se nuk ka akuza të ngritura, ndërsa e quajti të pakuptimtë faktin që prokuroria ka nisur hetimet për “shpërdorim detyre”, për faktin se punonjësit e Albcontrol nuk janë pjesë e administratës publike.
Për shkak të grevës së kontrollorëve të hapësirës ajrore shqiptare, të gjitha fluturimet drejt Shqipërisë janë anuluar.
Ndërkohë, ushtria dhe forcat e policisë kanë marrë nën ruajtje kullën e kontrollit të trafikut ajror, Albcontrol, duke e konsideruar objekt të një rëndësie të veçantë.