Politika Grida Duma: Berisha kryeministër? As vetë doktori nuk e mendon këtë

Grida Duma: Berisha kryeministër? As vetë doktori nuk e mendon këtë

Grida Duma, nënkryetare e Partisë Demokratike, në një intervistë për “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, u shpreh se as vetë Sali Berisha nuk e beson se mund të kthehet në postin e kryeministrit të vendit.

“Sali Berisha as vetë nuk e mendon se mund të jetë kryeministër i vendit. Unë e njoh aftësinë e tij politike, duhet vlerësuar për këtë, por ai e di shumë mirë që kjo nuk ndodh. Qëllimi është që të tregojë se kjo parti është e tij”, theksoi Duma.

“Nga njëra anë, në Foltore ka individë që argumentojnë që PD-ja ka disa çështje për t’u zgjidhur, por nuk thonë thelbin, që në themel diskutimi është që Sali Berisha të bëhet kryetari i partisë dhe të jetë kandidati për kryeministër. Foltorja nuk nisi kështu, por nisi me një kundërvendim ndaj vendimit të SHBA-së. Në takimet e para të Foltores, Sali Berisha e përjashtonte veten si kryetar i partisë. Evolimi e ka çuar ngjarjen që Berisha të ndryshojë”, shtoi Duma.

Në lidhje me Kuvendin Kombëtar të PD-së, Duma theksoi: “Kuvend ka vetëm një. Për të gjithë interesi është që çdo ngjarje të jetë sa politike, dhe statutore, dhe demokratike. Nëse nuk i ka këto të treja, nuk do të zgjidhë kurrë asgjë. Unë mendoj se thirrja e Kuvendit në datën 18 dhjetor është zgjidhja dhe përgjigjja ndaj situatës. Nuk mund të bënim më sikur ngjarjet do të qetësoheshin vetë. Thirrja e Kuvendit nga Lulzim Basha tregon përgjegjësi dhe besoj që data 18 e zgjidh këtë ngërç. Më kanë thënë që mbroj Bashën, por nuk është e vërtetë. Në mbledhjen e fundit madje i thashë se ai, në emër të kohezionit të partisë, që është kohezion artificial, gjërat duhet të zgjidhen brenda partisë. I kam kërkuar që data 18 dhjetor të mos konceptohet si datë që dikush mban partinë, por si një datë ku të ketë reflektim real”.