Dy mbështetës të njohur të Brexitit kanë përmendur një referendum të dytë për Brexitin, për ta penguar një Brexit “të butë”. Proevropianët janë të entuziazmuar. Ata shpresojnë që më në fund ta pengojnë daljen nga BE.
Christoph Hasselbach -DW
Krye-Brexitasi Nigel Farage e elektrizoi Britaninë e Madhe dhe gjysmën e Evropës me kërkesën e tij për një referendum të ri për Brexitin.
Farage deklaroi se një votim i ri do t’u mbyllte përfundimisht gojën atyre që “ankohen dhe qahen” për daljen nga BE. Kundërshtarët e tij në Britaninë e Madhe dhe në pjesën tjetër të BE u ngazëllyen: po të kenë mundësi britanikët të votojnë edhe njëherë për BE, rezultati do të ishte krejt tjetër, besojnë ata: Brexiti mund të anulohet.
Por Farage tani është tërhequr.
Në botimin online të “Daily Telegraph” ai shkruan ndërkohë: “Për ta thënë qartë, unë nuk dua një referendum të dytë”. Por ai druhet, “që vendit mund t’i imponohet një referendum i dytë nga Parlamenti”. Kjo sepse ai beson që marrëveshja me BE do të jetë për Britaninë e Madhe në fund kaq “jotërheqëse”, sa Dhoma e Poshtme, që do të thotë fjalën e fundit për këtë, mund ta refuzojë dhe të organizojë një referendum të dytë.
Meqenëse proevropianë si ish-kryeministri Tony Blair nuk do të heqin kurrë dorë nga lufta për të qëndruar në BE, “mua ndoshta mund të më lindë ideja që duhet të kemi një referendum të dytë”,u shpreh para pak ditësh në televizionin britanik Farage. Pastaj kjo çështje “do të quhej e zgjidhur për një brez”, sepse mbështetja për daljen nga BE, në një referendum të ri do të ishte “shumë më e madhe se herën e parë”, parashikoi Farage. Në vitin 2016, 48 përqind qenë kundër daljes nga BE dhe 52 përqind pro daljes.
Në emër të kujt flet Farage?
Por pikërisht kjo është ajo për të cilën dyshojnë shumë vetë. Liberaldemokratët dhe një pjesë e laburistëve si dhe e konservatorëve besojnë në të kundërtën se populli nuk i peshoi atëherë mirë pasojat e një Brexiti, shumë vetë janë penduar për votën që kanë dhënë.
Prandaj, Farage mori papritur lëvdime për propozimin e tij.
“Ndoshta për herë të parë në jetën e tij Nigel Farage thotë diçka me vend”, tha me sarkazëm deputeti laburist dhe kundërshtari i Brexitit Chuka Umunna. Dhe Tom Brake i liberaldemokratëve parashikon: “Farage nuk duhet të jetë kaq i sigurtë që fiton. Njerëzit sot janë shumë më të ndërgjegjshëm për koston e Brexitit dhe janë shumë më të ndërgjegjshëm për pohimet e gabuara të mbështetësve të Brexitit”.
Deklaratat e Farage ndërkohën e humbasin pjesërisht rëndësinë, sepse atij i mungon autoriteti i mëparshëm i kryetarit të partisë. Si kryetar i UKIP-it ai luftoi për vite të tëra për Brexitin.
Por sot ai është vetëm një deputet i thjeshtë në Parlamentin Evropian.
Gjendje e paqartë në sondazhe
Por gjithsesi nuk do të ketë një referendum të dytë. Kryeministrja britanike, Theresa May e ka përjashtuar atë disa herë. Zëdhënësi i saj e rikonfirmoi tani sërish këtë pozicion. Kryeargumenti i Mayt është i njëjti me atë që paraqesin edhe konservatorë të tjerë si dhe politikanë laburistë: do të ishte e gabuar dhe madje e rrezikshme për demokracinë, nëse vullneti i shprehur i popullit nuk respektohet, kur ai nuk i pëlqen dikujt.
Vërtet që sipas sondazheve më të fundit në dhjetor, ishin vetëm 41 përqind e britanikëve që donin të largoheshin nga BE, kurse 51 përqind të tjerë donin të qëndronin në BE. Por sipas institutit që bëri sondazhin BMG, kjo zhvendosje ndodhi në pjesën më të madhe tek ata, të cilët nuk patën votuar fare më 2016. Ndërkohë që nëntë ndër dhjetë prej atyre që patën marrë pjesë në 2016 në referendum, i përmbahen mendimit të tyre. Një tablo në thelb të ndryshme pra nuk kemi.
Ka shumë gjasa që një referendum i ri të arrinte në të njëjtat rezultate si i mëparshmi. Prandaj besohet se proevropianët do të ndjekin pikërisht atë strategji, së cilës i druhen Farage dhe mbështetësit e tij: që të mos e pengojnë Brexitin, por ta zbusin atë.