Fermeri francez Herve Dupouy e ka asgjësuar tufën e tij katër herë që nga viti 2015 për të ndaluar përhapjen e gripit të shpendëve, por ndërsa një valë shpërthimesh vdekjeprurëse i afrohet edhe një herë fermës së tij, ai thotë se është koha për të pranuar një zgjidhje që dikur konsiderohej tabu: Vaksinimi!
“Qëllimi është që kafshët tona të mos sëmuren dhe të mos përhapin virusin”, tha Dupouy në fermën e tij në Francën jugperëndimore.
“Detyra jonë si fermerë nuk është të mbledhim kafshët e ngordhura”.
Ashtu si Dupouy, gjithnjë e më shumë qeveri në mbarë botën po rishqyrtojnë kundërshtimin e tyre ndaj vaksinave, pasi asgjësimi i zogjve ose mbyllja e tyre brenda ka dështuar në parandalimin e rikthimit të gripit të shpendëve në tufa vit pas viti.
Reuters foli me zyrtarë të lartë në prodhuesit më të mëdhenj në botë të shpendëve dhe vezëve, së bashku me prodhuesit e vaksinave dhe kompanitë e shpendëve. Ata të gjithë thanë se kishte pasur një ndryshim të dukshëm në qasjen ndaj vaksinave për shkak të ashpërsisë së shpërthimit të gripit të shpendëve të këtij viti, megjithëse eksportuesi më i madh i mishit, Amerika, mbetet ngurruese.
Përveç kostos së asgjësimit të miliona pulave, rosave, gjelit të detit dhe patave, ekziston gjithashtu një frikë në rritje midis shkencëtarëve dhe qeverive se nëse virusi bëhet endemik, shanset që ai të ndryshojë dhe të përhapet te njerëzit vetëm do të rriten.
“Kjo është arsyeja pse çdo vend në botë është i shqetësuar për gripin e shpendëve”, tha ministri francez i bujqësisë Marc Fesneau.
“Nuk ka asnjë arsye për panik, por ne duhet të mësojmë nga historia për këto tema. Kjo është arsyeja pse ne po shqyrtojmë vaksinimet në nivel global”, i tha ai Reuters.
Shumica e prodhuesve më të mëdhenj të shpendëve në botë i kanë rezistuar vaksinimeve për shkak të shqetësimeve se mund ndikojnë në eksportet në vendet që kanë ndaluar shpendët e vaksinuar.
Por që nga fillimi i vitit të kaluar, gripi i shpendëve ka shkatërruar fermat në mbarë botën, duke çuar në ngordhjen e më shumë se 200 milionë zogjve për shkak të sëmundjes ose shkatërrimeve masive, tha Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) për Reuters.
Shkatërrimi masiv i vitit të kaluar rriti gjithashtu çmimin e vezëve, duke kontribuar në krizën globale të ushqimit.
Meksika filloi vaksinimet urgjente vitin e kaluar, ndërsa Ekuadori tha këtë muaj se planifikonte të asgjësonte më shumë se dy milionë zogj pasi virusi infektoi një vajzë 9-vjeçare.
Franca është në rrugën e duhur për të filluar vaksinimin e shpendëve në shtator, tha ministri i bujqësisë Fesneau për Reuters, përpara kthimit të shpendëve migrues që mund të infektojnë fermat.
Ndërkohë BE-ja ra dakord vitin e kaluar për të zbatuar një strategji vaksinash në 27 shtetet e saj anëtare.
Kina, e cila konsumon pjesën më të madhe të prodhimit të shpendëve brenda vendit, ka vaksinuar kundër gripit të shpendëve për gati 20 vjet dhe ka arritur të reduktojë ndjeshëm shpërthimet.
Por prodhuesi më i madh i mishit të shpendëve në botë, Amerika, po reziston për momentin.
Amerika është goditur më rëndë në mbarë botën në shpërthimin e fundit me një numër prej më shumë se 58 milionë zogjsh vitin e kaluar, e ndjekur nga Kanadaja, ndërsa Franca ka vuajtur më së shumti brenda BE-së, treguan të dhënat e WOAH.
Por frika nga kufizimet tregtare mbetet në qendër të vëmendjes për vendet që hezitojnë të vaksinojnë shpendët kundër gripit.
Ndërsa vaksinat mund të zvogëlojnë shkallën e vdekshmërisë, disa zogj të vaksinuar ende mund të infektohen dhe ta transmetojnë sëmundjen, duke përhapur kështu virusin.
Kjo është arsyeja pse disa vende refuzojnë të marrin shpend që janë të vaksinuar.
Gripi i shpendëve gjithashtu mund të ndryshojë me shpejtësi dhe të zvogëlojë efikasitetin e vaksinave ndërsa programet janë të kushtueshme dhe kërkojnë kohë, pasi vaksinat shpesh duhet të administrohen individualisht. Dhe edhe pasi zogjtë janë vaksinuar, tufat duhet të monitorohen.
“Përdorimi i një vaksine në këtë kohë do të kishte ndikime të dëmshme në tregtinë e shpendëve, ndërkohë që do të kërkonte ende karantinë, shpopullim dhe mbikëqyrje”, tha Departamenti i Bujqësisë i SHBA (USDA) për Reuters.
Ministri francez Fesneau i tha Reuters se Parisi po negocionte me partnerët e tij tregtarë jo të BE-së për të lejuar eksportet e shpendëve të vaksinuar, ndërkohë që kishte gjithashtu bisedime dypalëshe në nivel të BE-së me vendet jashtë bllokut.
Brazili, eksportuesi më i madh në botë i shpendëve, deri më tani ka shmangur një shpërthim dhe nevojën për vaksinë, megjithëse virusi po afrohet më shumë me disa nga fqinjët e tij përfshirë Bolivinë që raporton shpërthime.
Por vende të tilla si Franca, e cila shpenzoi 1.1 miliardë vitin e kaluar për të kompensuar fermerët e shpendëve për humbjet e tyre, besojnë se është koha për të marrë në konsideratë vaksinimin.
Si pjesë e strategjisë në mbarë BE-në, Franca po kryen teste për vaksinat për rosat, të cilat janë shumë të ndjeshme ndaj virusit dhe mbeten asimptomatike për shumë ditë, duke rritur rrezikun e transmetimit.
Holanda po teston vaksinat te pulat, Italia po bën të njëjtën gjë te gjelat dhe Hungaria te rosat, me rezultatet nga provat e BE-së që priten në muajt e ardhshëm.