Regjistrohen 4 persona që kanë humbur jetën në vendin tonë, për shkak se ishin prekur nga virusi i gripit AH1N1. Rasti më i fundit është një e moshuar 76-vjeçare nga Lushnja.
“Ishte paciente e ardhur nga Lushnja, me sëmundje shoqëruese hipertensionin alterial, por edhe një diabet, të cilin pacientja nuk e kishte të konfirmuar më parë. Ka ardhur në gjendje të rëndë, me pamjaftueshmëri të funksionit të mushkërisë. Është dërguar menjëherë në Reanimacionin tonë, por pamjaftueshmëria e punës së mushkërisë ka qenë tej mase e rëndë dhe ajo, pas 8 orësh ka ndërruar jetë”, tha Silvana Bala, mjeke.
Ndërkohë, në Sanatoriumin e Tiranës mbërrijnë çdo ditë 80 deri në 100 raste me urgjencë, me simptoma të gripit.
Në Reanimacionin e këtij shërbimi janë 10 raste në gjendje të rëndë shëndetësore, 3 prej të cilëve me frymëmarrje të komanduar.
“AH1N1-shi është një virus që ka një shënjestër sistemin respirator. Kur ai gjen persona që kanë sistemin imunitar të dobët, kanë sëmundje shoqëruese sidomos në moshat e treta, si diabeti, sëmundjet kardiake, apo sëmundje të veshkave, ky virus shkakton shumë lehtë komplikacionin e rëndë, siç është pneumonia bilaterale”, tha më tej mjekja Silvana Bala.
Elbasani ka shfaqur deri më tani shumë raste të infektuar nga virusi AH1N1, e sipas mjekëve atje ka një qarkullim intensiv të tij.
Ndoshta kjo lidhet edhe për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, pasi personat e prekur nga gripi kanë shfaqur probleme të rënda pulmonare.
Mjekët vijojnë të bëjnë apel se qytetarët janë ende në kohë për të bërë vaksinën antigrip, e të shmangin vendet e mbipopulluara./TCH