Shumica dërrmuese e groenlandezëve nuk duan të jenë pjesë e Shteteve të Bashkuara, tregon një sondazh i publikuar sot nga një gazetë daneze, në një kohë kur ishulli i pamasë i Arktikut lakmohet nga presidenti amerikan Donald Trump.
”Rreth 85% e groenlandezëve iu përgjigjën ‘jo’ pyetjes së largimit nga mbretëria daneze – e cila përfshin edhe Ishujt Faroe – për t’u bërë pjesë e Shteteve të Bashkuara”, sipas sondazhit të kryer nga agjencia ”Verian” për të përditshmen ”Berlingske” dhe gazetën ”Sermitsiaq”.
Vetëm 6% janë pro dhe 9% janë të pavendosur.
“Ky është sondazhi i parë që arrin të intervistojë një pjesë përfaqësuese të popullsisë së Groenlandës dhe mendoj se është shumë e rëndësishme”, tha Kasper Moller Hansen, profesor i shkencave politike.
“Ata nuk duan të jenë amerikanë, mendoj se sondazhi e tregon këtë shumë qartë”, shtoi ai.
Shqetësimi po rritet në Danimarkë për ambiciet e Donald Trump, i cili përsëriti të shtunën se Shtetet e Bashkuara do të merrnin Groenlandën dhe se Kopenhaga përfundimisht do të dorëzohej.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se ”ne absolutisht duhet të respektojmë territorin dhe sovranitetin e shteteve, është një element thelbësor i komunitetit ndërkombëtar”.
Vetë Groenlanda po kërkon sovranitetin dhe çështja e pavarësisë do të jetë në qendër të fushatës për zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 6 prilli.
Në këtë kontekst, 45% e groenlandezëve të anketuar e perceptojnë interesin e Donald Trump për vendin e tyre si “një kërcënim”, 43% si “një mundësi” dhe 13% janë të pavendosur.
Përveç vendndodhjes së saj strategjike, Groenlanda ka rezerva të mëdha mineralesh dhe nafte të pashfrytëzuara, por qasja në to premton të jetë e ndërlikuar.
Studimi i publikuar nga ”Berlingske” u krye nga 22 deri më 26 janar 2025 në një kampion përfaqësues prej 497 shtetasish groenlandezë të moshës mbi 18 vjeç.
Rezultatet e publikuara nga ”Berlingske” kanë një marzh gabimi midis 1,9 dhe 4,4 pikë përqindjeje.
Groenlanda ka një popullsi prej 57 000 banorësh.