Gropa Mariana është pika me e thellë oqeanike në planet. Kanali në formën e gjysmëhënes ndodhet në Paqësorin Perëndimor, në lindje të ishujve Mariana pranë Guamit. Rajoni që rrethon këtë gropë është i rëndësishëm për shkak të shumë mjediseve unike, përfshirë vrimat që nxjerrin squfur të lëngshëm dhe dioksid karboni, vullkanet aktive të baltës, dhe jetën detare që i është përshtatur presioneve 1000 herë më të mëdha sesa mbi sipërfaqen e detit.
Thellësia e tij është e vështirë të matet nga sipërfaqja. Por në vitin 2010, Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës në SHBA, përdori pulset e zërit, dhe vlerësoi se “Challenger Deep” gjendet në thellësinë 10.994 metra.
Një vlerësim i vitit të kaluar, që përdori sensorët e presionit, zbuloi se pika më e thellë ishte në fakt 10.935 metra. Vlerësime të tjera ndryshojnë me më pak se 305 m. Pika e dytë më ethellë e oqeanit, gjendet gjithashtu në Gropën Mariana.
“Thellësia e Sirenës”, ndodhet 200 kilometra në lindje të “Challenger Deep”, sërish me një thellësi të jashtëzakonshme prej 10.809 m. Sa për krahasim mali Everest ka një lartësi 8.848 metra mbi nivelin e detit. Pra pjesa më e thellë e Gropës Mariana është 2.147 metra më e thellë sesa lartësia e malit më të lartë sot në botë.
Gropa është 2.542 km i gjatë, dhe ka një gjerësi mesatare prej vetëm 69 km. Për shkak se Guami është një territor i Shteteve të Bashkuara dhe 15 Ishujt e Marianës Veriore qeverisen nga një Komonuelth i SHBA-së, është SHBA-ja ajo që ka juridiksion mbi Gropën Mariana.
Në vitin 2009, presidenti i kohës Xhorxh W.Bush firmosi krijimin e Monumentit Kombëtar Detar të Gropës Mariana, që krijoi një rezervat detar të mbrojtur prej rreth 506.000 km2, të përbërë nga shtrati i detit dhe ujërat që rrethojnë ishujt e largët.
Monumenti përfshin pjesën më të madhe të Gropës Mariana, 21 vullkane nënujore dhe zonat përreth 3 ishujve. Ekspertët thonë se Gropa Mariana u krijua nga procesi që ndodh në një zonë subduksioni, ku përplasen dy pllaka të mëdha të kores oqeanike, të njohura si pllaka tektonike.
Në një zonë subduksioni, një pjesë e kores oqeanike shtyhet dhe futet poshtë tjetrës, duke u zhytur në mantelin e Tokës, pra në shtresën që ndodhet nën koren e Tokës. Aty ku kryqëzohen dy pjesët e kores, formohet një kanal i thellë. Në rastin konkret, korja e Oqeanit Paqësor po përkulet nën koren e Filipineve.
Korja e Paqësorit është rreth 180 milionë vjet e vjetër. Ndërkohë Pllaka e Filipineve është më e re dhe më e vogël se ajo e Paqësorit. Presioni i madh i ujit në fundin e gropës është më shumë se 703 kilogramë për 1 metër katror. Pra më shumë se 1000 herë më shumë sesa presioni mbi sipërfaqen e oqeanit.
Një zinxhir vullkanesh, që ngrihen mbi valët e oqeanit për të formuar Ishujt Mariana, përbëjnë harkun në formë gjysmëhëne të Gropës Mariana. Të ndërthurura me ishujt, janë shumë vullkane të çuditshëm nënujorë. Për shembull, vullkani nënujor Eifuku nxjerr dyoksid karboni të lëngshëm nga burimet hidrotermale të ngjashme me oxhaqet e shtëpive të banimit.
Lëngu që del nga këto oxhaqe ka një temperaturë 103 gradë Celsius. Ekspeditat shkencore më të fundit, kanë zbuluar specie çuditërisht të larmishme edhe në këto ambiente me kushte ekstreme.
Kafshët që jetojnë në pjesët më të thella të Gropës Mariana mbijetojnë në errësirë të plotë dhenën një presion ekstrem, thotë Natasha Gallo, eksperte në Institutin e Oqeanografisë, që ka studiuar pamjet video nga ekspedita e regjisorit të njohur Xhejms Kameron në vitin 2012 në thellësitë e gropës.
Ushqimi në Gropën Mariana është tejet i kufizuar, sepse gryka e thellë gjendet larg tokës. Materiali bimor tokësor e gjen rrallë rrugën e tij deri në fundin e gropës, thotë Gallo, dhe planktoni i vdekur që fundoset nën sipërfaqe, duhet të zhytet mijëra metra për të arritur deri në “Challenger Deep”.
Ndërkohë, disa mikrobe mbështeten për ekzistencën e tyre tek disa kimikate, si metani apo squfuri, ndërsa krijesa të tjera ushqehen me speciet detare që janë poshtë tyre në zinxhirin ushqimor. Tre nga organizmat më të zakonshëm në fundin Gropës Mariana janë ksenofioforët, amfipodët dhe kastravecat e vogla të detit (holothurianët).
Ndërkohë një nga grabitqarët kryesorë në këtë zonë është një peshk me pamje të frikshme. Mjerisht, thellësitë e oqeanit mund të shërbejnë edhe si një kosh për mbeturinat e shumta qëhidhen në det.
Në një studim të botuar në vitin 2017 në revistën “Nature Ecology and Evolution”, një ekip i udhëhequr nga shkencëtarët në Universitetin e Njukasëllit në Mbretërinë e Bashkuar, treguan se kimikatet e prodhuara nga njeriu, dhe që janë të ndaluara që nga vitet 1970, janë ende të fshehura në pjesët më të thella të oqeanit.
Po ashtu Gropa Mariana nuk është i imunizuar as nga ndotja plastike. Një studim i vitit 2018 i botuar në revistën “Geochemical Perspectives”, zbuloi se mikroplastika ishte shumë e zakonshme në ujërat e Gropës Mariana, duke treguar se këto pjesë plastike arrijnë të depërtojnë deri në pikat e tij më të thella.
Marrë me shkurtime nga LiveScience – Bota.al