Bashkëshortja e shefit ekzekutiv të nëndetëses turistike të zhdukur rrjedh nga një çift i pasur i Nju-Jorkut, i cili u mbyt në bordin e Titanikut në vitin 1912.
Wendy Rush është e martuar me Stockton Rush, një nga pesë burrat e bllokuar në Titan, pasi u zhduk të dielën gjatë një udhëtimi për të vizituar rrënojat historike.
Ajo është gjithashtu stërmbesa e Isidor dhe Ida Straus, dy pasagjerë të klasit të parë që ishin në bordin e Titanikut kur u mbyt në 1912.
Zonja Rush, u martua me Stockton Rush në 1986, sipas njoftimit të martesës së tyre në New York Times. Ajo është drejtoreshë e komunikimit në OceanGate dhe ka qenë në tri ekspedita për të vizituar rrënojat e Titanikut, thotë faqja e saj në LinkedIn.
Strauses ishin ndër pasagjerët më të pasur të Titanikut. Isidor dhe vëllai i tij Nathan ishin bashkëpronarë të dyqanit Macy. Të mbijetuarit u kujtuan se kishin parë Isidorin të refuzonte një vend në një varkë shpëtimi derisa të gjitha gratë dhe fëmijët kishin hipur. Ida, gruaja e tij prej 40 vitesh, nuk pranoi të shkonte pa burrin e saj. Të dy u panë të përqafuar, ndërsa anija po zbriste.
Ata u përjetësuan gjithashtu tragjikisht në filmin “Titanik” të James Cameron të vitit 1997, duke u shfaqur në mënyrë imagjinare të përqafuar në një shtrat, ndërsa uji vërshonte në anije.
Sipas arkivave të New York Times, trupi i Isidor u gjet në det rreth dy javë pas fundosjes, ndërsa eshtrat e Idës nuk u gjetën kurrë.
Ndërkaq mësohet se është zgjeruar zona e kërkimit, ndërsa ekuipazhi i nëndetëses së zhdukur mendohet se ka pak orë oksigjen të mbetur, bazuar në një vlerësim të mëparshëm.