17 persona janë arrestuar në vende të ndryshme europiane, përfshi Belgjikën, Gjermaninë, Francën, Italinë, Holandën dhe Austrinë, pas një hetimi të gjerë që kishte në shënjestër grupe të organizuara kriminale me shqiptarë.
Policitë e këtyre shteteve kryen operacione të ndryshme të martën, si rezultat i të cilave 11 persona u arrestuan vetëm në Belgjikë, ndërsa 6 të tjerë pritet të ekstradohen në këtë shtet.
Gjatë kërkimeve, autoritetet sekuestruan 100 kilogramë lëndë narkotike, kokainë dhe amfetaminë, si dhe armë zjarri, substanca kimike, jelekë antiplumb dhe rreth 265 mijë paund para cash.
Mediat belge konfirmojnë se hetimet u nisën në vitin 2023 nga autoritetet belge pas zbulimit të një magazine në Antverp ku u gjetën pako boshe që përdoreshin për mbajtjen kokainës dhe heroinës, si dhe materiale që përdoreshin për paketimin e lëndëve narkotike. Hetimet i çuan autoritetet belge te një grup shqiptarësh nga Vlora.
Sipas dyshimeve, ata blinin substanca të mëdha kimikatesh për hollimin e drogës dhe ua ofronin këtë shërbim organizatave të tjera kriminale. Sipas raportimeve, lënda narkotike vinte nga Amerika Latine.
Një tjetër procedim nisi në fund të vitit të kaluar, ku në një celular të kontrolluar nga policia u gjetën disa prova që çuan në identifikimin e të dyshuarve.
Edhe pse anëtarët e dy grupeve kanë pasur kontakte me njëri-tjetrin, procedimet mbeten të ndara për momentin.