Grupi Parlamentar Demokrat, i formuar nga deputetët që kanë marrë mandatin pas dorëzimit të deputetëve të opozitës, ku bën pjesë edhe Myslym Murrizi dhe Rudina Hajdari, duket se ka vendosur të largojë këtë të fundit nga detyre a kryetares së grupit.
Në vend të saj është emëruar Korab Lita, siç paralajmëron vetë ai, në një postim në Facebook.
“Grupi Parlamentar Demokrat, në mbledhjen e tij të fundit, në funksion të organizimit të brendshëm bëri ndryshim në drejtimin e grupit. Personalisht, dua t’ju dërgoj një falënderim kolegeve të mi të Grupit Parlamentar për vlerësimin dhe besimin që më dhanë për të drejtuar Grupin Parlamentar Demokrat”, shkruan Lita në Facebook.
“Detyra që më është besuar si Kryetar i Grupit Parlamentar Demokrat unë e shoh si një përgjegjësi e aspak privilegj, sidomos në këtë situatë politike e institucionale ku ndodhet vendi ynë. Nëpërmjet jush dua të siguroj kolegët, dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që të gjithë bashkë do jemi në lartësinë e duhur për të justifikuar besimin e dhënë”.
Shkresa për zëvendësim mësohet se është dërguar në zyrën e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, ndërsa do të shpallet zyrtarisht në seancën e ardhshme plenare.