Aktualitet “Grupi L”, mediat greke: Cila është banda e shqiptarëve që fshihet pas...

“Grupi L”, mediat greke: Cila është banda e shqiptarëve që fshihet pas vrasjes së 37-vjeçarit në Athinë

Një bandë e njohur shqiptarësh në Athinë mendohet se fshihet pas vrasjes së 37-vjeçarit shqiptar Pëllumb Islami. Viktima nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, por ishte në vendin e gabuar dhe kohën e gabuar.  Gazeta Protothema i ka kushtuar një artikull të gjatë këtij grupi të quajtur “Grupi L”, që sipas Protothema-s kontrollon shtëpitë publike dhe shpërndarjen e drogës në qendër të Athinës.

Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në një lokal në lagjen “Nea Jonia” në kryeqytetin grek.

Aty ishte edhe banda famëkeqe e shqiptarëve, siç konsiderohen nga mediat greke, mes të cilëve nisi një sherr që më pas degradoi në përdorimin e armëve. Njëri prej tyre nxori armën dhe qëlloi. Plumbat prekën 37-vjeçarin shqiptar që qëndronte në një tavolinë tjetër me shoqërinë e tij. Ai u dërgua në spital, por fatkeqësisht mjekët nuk mundën ta shpëtonin.

Në ngjarjen kriminale janë përfshirë 7 persona që u përleshën me njëri-tjetrin, sipas policisë greke, nga të cilët janë identifikuar 3 prej tyre deri më tani.

Këta persona janë kontigjent kriminal dhe emra të njohur për autoritetet greke.

Ata quhen “Grupi L” dhe bëhet fjalë për një bandë shqiptarësh. “Kriminelë të regjur” i konsideron shtypi grek, të përfshirë në trafik droge, prostitucion, trafikim të qenieve njerëzore, armëmbajtje pa leje etj.

Ky grup kontrollon trafikun e drogës në Athinë, ka lidhje të forta me botën e krimit si dhe kontrollojnë disa zona ku ushtrohet prostitucion në rrugët e kryeqytetit.

Njëri prej shqiptarëve të arrestuar tashmë është një 32-vjeçar i cili pak kohë më parë kishte mbajtur peng një vajzë të re të cilën e kishte mashtruar për të punuar në një lokal nate që kontrollohej prej grupit të tyre, dhe më pas e kishte shfrytëzuar për prostitucion. Vajza kishte arritur të largohej dhe denoncoi në polici.

Më 16 tetor 2022, policia greke bastisi lokalin e natës të kontrolluar nga banda e shqiptarëve. Hetimi u bë në fshehtësi të plotë nga frika e dekonspirimit pasi grupi kriminal mbante kontakte edhe me policë, raportojnë mediat greke.

Autoritetet greke, në dosjet e tyre, e cilësojnë këtë bandë si grup mafioz që ka depërtuar në shumë nivele dhe mban kontakte edhe më shumë të burgosur nëpër burgje e Greqisë.