Grupi “Për PD” ka dalë sot në një deklaratë për mediat dhe ka prezantuar kandidaturën Edit Harxhi për marrjen e postit të kreut të Partisë Demokratike. Ky grupim kishte kërkuar që të kandidonte Edit Harxhin dhe Ibsen Elezin, po ky i fundit u përjashtua nga gara pas mbledhjes së Kryesisë.
Lidhur me këtë vendim, grupi “Për PD” ka kritikuar Lulzim Bashën dhe e kanë akuzuar se është ai që fshihet pas këtij vendimi. Po ashtu ata kërkojnë dhe listat e anëtarëve të PD-së dhe ndryshimin e Komisioneve Zgjedhor.
Deklarata e plotë e grupit “Për PD”
Pas vendimit të Kryesisë së PD, Grupi për PD-në konstaton se:
1- Përjashtimi nga gara i zotit Ibsen Elezi është antistatutor, antidemokratik dhe deformon procesin zgjedhor në PD. Grupi për PD kërkon ndryshimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e Ibsen Elezi në garën për kryetar.
2- Kryesia e PDSH dhe Komisioni Zgjedhor janë të detyruar të vënë në dispozicion të kandidatëve për Kryetarë të PDSH-së, jo më vonë se data 25 Maj 2021, listën e plotë të anëtarësisë së PSSH-së.
3- Të rishikohet përbërja e Komisionit Zgjedhor dhe atyre në nivel dege, duke përfshirë përfaqësues të kandidatëve për Kryetar.
4- Të hartohet një axhendë e takimeve të përbashkëta të kandidatëve me anëtarësinë, për të shpalosur platformat politike dhe zhvillimin e debatit.
5- Zyra e Organizimit dhe kryesitë e degëve të venë në funksion të kandidatëve për kryetar të PDSH-së infrastrukturën dhe burimet administrative për zhvillimin e takimeve të përbashkëta të sipërcituara.
6- Kryetari në detyrë i PDSH-së, Lulzim Basha duhet të deklarojë burimet financiare dhe logjistike të fushatës së tij, siç duhet të bëjnë të gjithë kandidatët në garë. Mbetemi në pritje të plotësimit të këtyre kërkesave të domosdoshme për një garë të hapur, të barabartë dhe të mbështetur në vlerat më të mira perëndimore të PDSH./tvklan.al