Grupimi “për PD”, që në këto zgjedhje kishte një kandidate në garën për kreun e selisë blu thanë këtë të mërkurë se procesi ishte larg standardeve. Për ish-Presidentin Bujar Nishani, vendi ynë ka probleme thelbësore me zgjedhjet. Sipas tij, si në zgjedhjet e përgjithshme, ashtu edhe në ato për partinë, i pushtetshmi i deformon ato në favor të tij.
“Unë besoj se është shqetësim i shoqërisë, edhe i juaji si aktorë shumë të rëndësishëm të shoqërisë. Po evidentojmë që kemi probleme thelbësore me zgjedhjet në këtë vend. Bëhen zgjedhje të përgjithshme politike në vend ngrihet pushteti, shfrytëzon fuqinë e tij, i vjedh zgjedhjet, abuzon me to dhe manipulon zgjedhjet ato në favor të vet. Bëhen zgjedhjet në parti, ngrihet i pushtetshmi brenda partisë i manipulon zgjedhjet, i deformon ato në favor të tij. Është defekt i madh që po e lë këtë vend në ngecje të madhe”, tha Nishani.
Nishani deklaroi se Basha përfaqëson minorancën e PD. Ai tha se në Korçë, ku kandidatët sfidues të tij mundën të kontrollonin procesin, kryetari aktual mundi të fitojë vetëm 17% të votave të anëtarësisë. Në zona të tjera, ku nuk kishte kontroll, Nishani tha se mbështetja arriti deri në 70% për Bashën. Po ashtu ai ceku edhe uljen e numrit të listave të anëtarëve. Shembull mori listën në Devoll, ku në garën për kreun e degës ishin 2100 anëtarë ndërsa për kryetarin e PD-së, 700 vetë.
“Lulzim Basha përfaqëson sot minorancën e anëtarësisë së PD, më pak se 30% të anëtarësisë së PD. Mund të flasim për ligjshmëri apo legjitimitet, kur kryetari në detyrë përfaqëson minorancën e anëtarësisë së PD? Asesi jo. A ka fuqi morale dhe politike të bëjë reforma të thella politike e cila për herë të parë në historinë e saj qëndron 3 herë në opozitë. Ajo që duhet të bëjmë ne është përpjekja që të kthejmë PD në shtratin e ligjshmërisë. Kemi vokacionin jashtë çdo interesi personal. Kemi pjekurinë e eksperiencës që kemi pasur gjithë këto vite. Të mandateve që kemi përfaqësuar me shumë dinjitet gjithë këto vite seç mund të përfaqësojë sot dikush që ka marrë një mandat të padrejtë. Thirrja jonë për PD, kjo është që PD që për fat të keq qëndron në 3 mandate në opozitë të mos qëndrojë për 4 mandate. Projekti për PD është një projekt që është përpara. Kontaktet me shumicën dërmuese të anëtarësisë e cila është aty, nuk ka ikur”, tha Nishani.
Por a i druhet Nishani ndonjë spastrimi në PD?
“Nëse unë do të kisha pasur frikë nga spastrimet, nga balta që hidhet nuk do të kisha mbërritur në zyrën e Presidentit të Republikës”, tha ai.
Përfaqësuesi tjetër i grupimit, Arben Imami, i bëri thirrje Bashës që të mos fshehë listat e anëtarësisë. Ai u shpreh se këto zgjedhje nuk e kanë bashkuar PD.
“Në zgjedhje u paraqitën disa kandidatë, çka tregon se zgjedhjet e vitit 2017 kanë qenë plotësisht zgjedhje të montuara. Këto zgjedhje janë përtej njohjes dhe mosnjohjes, përtej ligjshmërisë dhe paligjshmërisë në kuptimin që kandidatët, në këtë rast zonja, nuk kanë listat. Ne mund të gjykojmë për një proces nëse është i ligjshëm apo i paligjshëm duke konfrontuar listat me pjesëmarrjen konkretet.
Edhe sot pasi kanë mbaruar zgjedhjet kandidatët nuk kanë listat e PD. I them Bashës, ti je kryetar i PD, një parti që është ngritur për çështjet e ligjit dhe të lirisë në këtë vend. Nuk je kryetar i një subjekti terrorist, klandestin, komunist që mban lista të fshehta anëtarësie. Listat e fshehta të anëtarësisë i mbajnë vetëm organizatat e fshehta terroriste. Në një parti që u lind për të vendosur demokraci në vend nuk mund të ketë lista të fshehta. Dua të bëj edhe një vërejtje tjetër. Zgjedhjet në parti bëhen për të pasur konkurrencë dhe për të parë përpara.
Sot PD nuk është më e bashkuar se para zgjedhjeve. Vendosja në mënyrë të njëanshme e datës së zgjedhjeve, hile mashtruesish ordinerë nuk e bashkon më shumë partinë. Koha e ngushtë në dispozicion për kandidatët nuk jep mundësinë që të përfshihet anëtarësia në këtë proces. Heqja e 30 mijë anëtarëve nga lista në fakt janë themeli i PD-së të cilët këto vite nuk bashkohen me politikat e Lul Bashës dhe në këto zgjedhje kjo pjesë e rëndësishme e PD formalisht u përzu nga PD. Çfarë shansesh ka PD për të fituar zgjedhjet e pritshme nëse 25%-30% të anëtarëve të saj, të themelit të saj i përjashton nga proceset e brendshme të zgjedhjeve? Shanset zvogëlohen. Edhe baza e PD-së në zgjedhjet e përgjithshme shkon duke u ngushtuar. Këto nuk janë zgjedhje dhe as zgjidhje për PD dhe për vendin”, tha ai.
Ndërkohë kandidatja e cila garonte në zgjedhje, Edit Harxhi, u shpreh se grupimi për PD do të punojë për të realizuar një projekt të ri rithemelimi brenda selisë blu.
“Këto zgjedhje nuk ishin zgjedhje, nuk ishin zgjidhje. Ishin larg çdo standardi. Do të vazhdojmë të punojmë brenda PD, në të gjitha strukturat e sa që lëvizja jonë që është lëvizje nismë për të bërë një projekt të ri rithemelimin e partisë, ka filluar në datën 13 Qershor. Kjo do të vazhdojë. Ju shihni që jemi grup. Këto nuk ishin zgjedhje”, tha Harxhi.