Kush është Aung San Suu Kyi dhe cila është jeta e pazakontë e saj: Nga Çmimi Nobel për Paqe tek akuza për gjenocid ndaj pakicës myslimane Rohinja
Ushtria e Mianmarit ka marrë kontrollin e shtetit dhe ka arrestuar lideren e vendit, Aung Suu Kyi, si dhe disa politikanë të tjerë. Në vend është shpallur gjendja e emergjencës për një vit teksa do të transferohet pushteti.
Grushti i shtetit ndodh pas tensioneve të rritura për zgjedhjet mes qeverisë civile dhe ushtrisë. Mianmari, që njihet ndryshe edhe si Burma, udhëhiqej nga një ushtri derisa nisën reformat demokratike në vitin 2011.
Ushtria deklaroi se ia ka kaluar fuqinë Komandantit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, për shkak të mashtrimit në zgjedhje. Ndërkohë në rrugët e kryeqytetit Nay Pyi Taw dhe qytetit kryesor Yangon kanë dalë ushtarët.
Nën pretekstin e pandemisë së koronavirusit, zgjedhjet “nuk ishin as të lira as të drejta”, tha zëdhënësi i ushtrisë gjeneral majori Zaw Min Tun në një konferencë shtypi javën e kaluar.
Ushtria pretendon të ketë identifikuar raste të mashtrimit, duke përfshirë mijëra qindravjeçarë ose të mitur midis votuesve. Në zgjedhjet e nëntorit, partia e Aung San Suu Kyi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe në 1991, Lidhja Kombëtare e Demokracisë (NLD) fitoi vende të mjaftueshme për të formuar qeverinë.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar grushtin e shtetit duke thënë se Uashingtoni dënon çdo përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve apo për të ndryshuar tranzicionin demokratik të Mianmarit. Sekretari i Shtetit Antony Blinken bëri thirrje që të lirohen të gjithë zyrtarët e qeverisë dhe liderët e shoqërisë civile.
Po kush është Aung San Suu Kyi dhe cila është jeta e pazakontë e saj
Ajo dikur konsiderohej një fener i të drejtave të njeriut, një aktiviste parimore e cila hoqi dorë nga liria e saj për të mundur gjeneralët e pamëshirshëm ushtarakë që kishin qeverisur Mianmarin për dekada.
Në 1991, Aung San Suu Kyi u dha Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa ishte nën arrest shtëpiak dhe u vlerësua si një “shembull i jashtëzakonshëm i fuqisë së të pafuqishmit”.
Në Mianmar, ajo gëzon popullaritet të jashtëzakonshëm me shumicën budiste, por në skenën ndërkombëtare, reputacioni i tij për shkak të fatit të pakicës Rohinja, të cilët janë viktima të persekutimit dhe krimit, ka çuar në një rënie që pak kush mund ta kishte parashikuar.
Suu Kyi kaloi gati 15 vjet në paraburgim, midis 1989 dhe 2010. Lufta e saj personale për të sjellë demokracinë në Mianmar (e njohur edhe si Burma), e cila ishte nën sundimin ushtarak, e bëri atë një simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore ndaj shtypjes.
Në nëntor 2015, ajo udhëhoqi Lidhjen Kombëtare për Demokraci (NLD) në një fitore të madhe në zgjedhjet, të cilat ishin të lira për herë të parë në 25 vjet.
Kushtetuta e Mianmarit e ndalon atë që të bëhet presidente sepse ajo ka fëmijë që janë shtetas të huaj.
Ajo është vajza e heroit të Mianmarit të luftës për pavarësi, gjeneralit Aung San, i cili u vra pak para se Mianmari të fitonte pavarësinë nga administrata koloniale britanike në 1948.
Ajo shkoi në Indi me nënën e saj Daw Khin Kyi në 1960, kur e ëma u emërua ambasadore e Mianmarit në Nju Delhi. Katër vjet më vonë ajo shkoi në Universitetin Britanik të Oksfordit, ku studioi filozofi, politikë dhe ekonomi, ku u takua edhe me burrin e saj, akademik Michael Aris.
Kur u kthye në 1988 për t’u kujdesur për nënën e saj të sëmurë, Mianmari u trondit nga një krizë e madhe politike. Mijëra studentë, punonjës publikë dhe priftërinj bënin thirrje për reforma demokratike në rrugë. “Unë nuk mund të qëndroja e paprekur nga ngjarjet, si vajza e babait tim”, tha Suu Kyi më 26 gusht 1988 dhe udhëhoqi një rebelim kundër diktatorit të atëhershëm, gjeneralit Ne Win.
Ushtria iu përgjigj brutalisht demonstratave dhe mori pushtetin me një grusht shteti më 18 shtator 1988. Për pasojë, Suu Kyi përfundoi nën arrest shtëpiak vitin pasues.
Pastaj, në maj 1990, ushtria organizoi zgjedhje, në të cilat NLD fitoi bindshëm, por junta nuk pranoi të dorëzohej. Suu Kyi ishte në arrest shtëpie për gjashtë vitet e ardhshme, deri në lirimin e saj në korrik 1995. Ajo u la e lirë pa kushte në maj 2002, për t’u arrestuar përsëri një vit më vonë.
Frika nga largimi nga Mianmar dhe kthimi në politikë
Ajo nuk u lejua të shihte djemtë e saj ose burrin e saj, i cili vdiq nga një tumor në mars 1999. Autoritetet ushtarake i ofruan asaj të shkonte në Britaninë e Madhe, kur ai ishte shumë i sëmurë, por ajo nuk pranoi, sepse kishte frikë se nuk do të lejohej të kthehej në Mianmar.
Ajo nuk garoi në zgjedhjet e para pas dy dekadash, të mbajtura më 7 nëntor 2010, por u la e lirë nga arresti shtëpiak gjashtë ditë më vonë. Djali i saj Kim vizitoi për herë të parë atëherë, pas 10 vitesh.
Ndërsa qeveria e re e shtetit nisi procesin e reformës, Suu Kyi dhe partia e saj u kthyen në politikë dhe fituan 43 nga 45 vendet në zgjedhjet e prillit 2012.
Mianmari përballet me akuza për gjenocid
Udhëheqja e Suu Kyi është shenjuar nga qëndrimet ndaj pakicës muslimane Rohinja.
Mijëra u larguan nga Bangladeshi fqinj në vitin 2017 për shkak të veprimeve ushtarake pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj policisë në shtetin Rakhine.
Mianmar tani po përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) po heton vendin për krime të mundshme kundër njerëzimit.