Qeveria boliviane nxori para mediave ish-komandantin e ushtrisë Juan Jose Zuniga, pasi e arrestoi atë nën akuzat për drejtimin e një tentative për grusht shteti kundër qeverisë së presidentit Luis Arce.
Forcat e armatosura të Bolivisë u tërhoqën nga pallati presidencial në La Paz të mërkurën në mbrëmje dhe gjenerali u arrestua pasi Arce kritikoi përpjekjen për “grusht shteti” kundër qeverisë dhe bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare.
Më herët gjatë ditës, njësitë ushtarake të udhëhequra nga Zuniga, ishin mbledhur në sheshin qendror në Plaza Murillo, ku ndodhen pallati presidencial dhe Kongresi.
Zuniga u tha gazetarëve se Arce i kishte kërkuar të “sajojë diçka” për të rritur popullaritetin e tij, por pa ofruar prova për ta vërtetuar këtë gjë.
Ministri Eduardo del Castillo më vonë tha se Zuniga po kërkonte mbështetjen e popullit dhe se nëntë personat e plagosur në këtë grusht shteti treguan se kjo nuk ishte një stërvitje.
Zyra e prokurorit publik të Bolivisë tha se do të nisë një hetim penal kundër Zuniga dhe të tjerëve të përfshirë në tentativën për grusht shtet.