Më 2013, Edward Snowdeni zbuloi shtrirjen e përgjimit global të komunikimit nga shërbimet e fshehta amerikane. Por që 40 vjet më parë, kundërzbulimi gjerman BND dhe CIA kishin filluar një fushatë mbarëbotërore përgjimi.
Nga Christopher Nehring
Në vitin 1970, përfaqësuesit e BND-së dhe të CIA-s nënshkruan një kontratë tepër të fshehtë në Mynih, që i bëri ata partnerë në një operacion që CIA më vonë do ta quante “grusht shteti i shërbimeve të fshehta të shekullit“. BND e quajti operacionin “Rubikon”, ndërsa CIA e quajti me pseudonimin “Minerva”. E gjithë historia e këtij aksioni të ulët u zbulua në shkurt 2020 nga Kanali i Dytë Televiziv Gjerman (ZDF), nga Washington Post dhe Televizioni Zviceran.
Objekt i partneritetit të shërbimeve sekrete gjermano-amerikane ishte kompania zvicerane Crypto AG, një nga drejtueset e tregut global për teknologjinë e shifrimit. Atë e kishte ndërtuar Boris Hagelein, i cili është marrë me teknologjinë e shifrimit që në vitet ’30. Shtetet nga e gjithë bota blinin makinat e tyre të shifrimit në qytetin e qetë të Alpeve Zug dhe pajisnin me to ambasadat e tyre, autoritetet dhe institucionet qeveritare. Deri 200 punonjës prodhonin dhe shisnin makinat në mbi 120 vende.
Si në film: Dorëzimi i parave në garazh nëntokësor
Sepse as punonjësit nuk e dinin që kompania e tyre u përkiste dy shërbimeve sekrete. Pronarët e vërtetë të Crypto AG u kamufluan përmes kontakteve të BND me Siemens-in dhe me një firmë avokatie në Lichtenstein. BND dhe CIA ndanin fitimin, vetëm në vitin 1975 fitimi ishte 51 milion franga zvicerane. Punonjësit e BND-së thuhet se ia kanë dhënë CIA-s pjesën e tyre të parave në takime tepër të fshehta në garazhe nëntokësore.
Nga viti 1970, ekspertët e BND dhe të CIA-s kanë punuar fshehurazi në mekanizmat e shifrimit të makinave të shifrimit të prodhuara nga Crypto AG. Dhe kujdeseshin në këtë mënyrë që kolegët e tyre operativë më vonë të kishin mundësi të deshifronin komunikimin e koduar.
Klientët e Crypto AG përfshinin Iranin, Arabinë Saudite dhe vendet e Amerikës së Jugut dhe Afrikës. Vetëm Bashkimi Sovjetik dhe Kina nuk blenë kurrë nga Crypto AG. Ata e dinin gjithsesi.
Për shembull, në vitin 1989, kur SHBA pushtuan Panamanë, ata e dinin falë operacionit Minerva se diktatori në kërkim Manuel Noriega ishte në Ambasadën e Vatikanit në Panama City. Sepse edhe Vatikani u besonte makinave të Crypto AG. Dhe kur Presidenti amerikan Ronald Reagan njoftoi në vitin 1986 vetëm dy ditë pasi shpërtheu një bombë në klubin e Berlinit Perëndimor “La Belle”, me tre viktima dhe me mbi 200 të plagosur, se Shtetet e Bashkuara kishin prova të pakundërshtueshme që regjimi libian nën Muhamad Gaddafin qëndronte pas sulmit, ai ia dedikonte informacionin e tij komunikimeve të përgjuara nga Ambasada e Libisë në Berlinin Lindor. Kjo është edhe arsyeja pse ish-koordinatori i shërbimit sekret në Kancelarinë Federale Bernd Schmidbauer tha se “Rubikon”-i kishte ndihmuar për ta bërë botën më të sigurt.
Gjithmonë të informuar për torturat dhe grushtet e shtetit
Por si dendur në komunitetin e shërbimeve të fshehta, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Sepse BND dhe CIA dëgjonin edhe kur diktaturat e Amerikës së Jugut torturonin dhe vrisnin, kur u planifikonin grushte shteti dhe kryenin masakra. Është e paqartë nëse këto informacione mbërritën ndonjëherë te Qeveria Federale dhe në Shtëpinë e Bardhë. Në vitin 1981, kur Britania e Madhe sulmoi Argjentinën në Luftën e Ishujve Falkland, BND-ja dhe CIA u përcollën britanikëve përgjimet në komunikimet e argjentinasve.
Edhe vendet të BE dhe të NATO-s si Italia, Spanja apo Irlanda janë përgjuar në operacionin “Rubikon”.
BND e denoncoi në mënyrë të përsëritur këtë spiunim të miqve te partnerët e saj amerikanë. Por vetëm në vitin 1993 i dha fund BND Operacionit “Rubikon”, nën presionin e qeverisë federale. Një vit më parë qe arrestuar për spiunazh në Iran Hans Bühler, i cili u shiste makina të shifruara për Crypto AG Iranit. Bühleri nuk dinte asgjë për të, por iranianët skeptikë e mbajtën atë të burgosur në kushte të vështira për gati një vit. Kjo qe tepër për Gjermaninë, BND ia shiti CIA-s 50 përqindshin e saj të Crypto AG. CIA e shpërbëri firmën vetëm në vitin 2018. Në këtë kohë kjo kompani kishte kohë që nuk ishte më lidere e tregut dhe agjencitë e shërbimit të fshehtë amerikan ndodheshin në biznesin me ofruesit e komunikimeve digjitale./DW