Mianmari ka bllokuar qasjen në Facebook, disa ditë pasi ushtria përmbysi qeverinë demokratike me anë të një grushti shteti. Autoritetet kanë bërë të ditur se platforma e mediave sociale, e cila është e vetmja qasje në internet në Mianmar do të bllokohet për hir të stabilitetit.
Gati 53 milion njerëz të Mianmarit përdorin Facebook. Zyrtarët e rrjetit social janë shprehur se autoritetet duhet të zhbllokojnë atë në mënyrë që njerëzit në Mianmar të mund të komunikojnë me familjet dhe miqtë e tyre.
Ministria e Komunikimeve dhe Informacionit ka deklaruar se platforma e mediave sociale do të bllokohet deri në 7 Shkurt.
Vendet perëndimore e kanë dënuar grushtin e shtetit, por përpjekjet në Këshillin e Sigurimit për të arritur një pozicion të përbashkët dështuan ndërsa Kina kundërshtoi. Kina është një nga pesë anëtarët e përhershëm me të drejtë vetoje në këshill.
Pekini ka kohë që ka luajtur një rol në mbrojtjen e vendit dhe ka paralajmëruar që nga grushti i shtetit sanksionet ose presioni ndërkombëtar do t’i përkeqësojnë gjërat.
Deri më tani një pjesë e madhe e njerëzve kanë protestuar në rrugë për të kërkuar lirimin e lideres së vendit. Në internet, shumë ndryshuan fotografitë e tyre të profilit në ngjyrën e kuqe, në mbështetje të partisë që përfaqëson Suu Kyi.