Aktualitet Guardia di Finanza “mbron” Shqipërinë, bllokohen 16 ton mbetje të rrezikshme, ishin...

Guardia di Finanza “mbron” Shqipërinë, bllokohen 16 ton mbetje të rrezikshme, ishin nisur drejt vendit tonë

Një operacion i Guardia di Finanza dhe autoriteteve doganore italiane në Ankona ka zbuluar një rast të trafikut të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Shqipërisë.

Një kompani italiane po përpiqej të dërgonte ilegalisht mbi 16 ton mbetje në Shqipëri, duke i dërguar ato me një kamion që do të ngarkohej në një traget nga Ankona për në Durrës.

Pas një analize të rrezikut, autoritetet zbuluan pasaktësi në dokumentacionin e dërgesës dhe, pas kontrollit të detajuar, konstatuan se ngarkesa përbënte mbetje, të cilat ishin pjesë e listës që kërkonte kontrolle më të rrepta, si dhe autorizim paraprak nga vendi i pritës, që nuk mund të ishte dhënë pasi Shqipëria ka ndaluar importin e këtij lloji mbetjesh, shkruajnë mediat italiane.

Pas ekspertizës nga Agjencia Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit (Arpam), mbetjet u klasifikuan si rrezik për mjedisin dhe nuk ishte kryer procedura e pastrimit paraprak. Si pasojë, 16 ton mbetje tekstili u sekuestruan, me vlerë disa mijëra euro. Për këtë ngjarje, u denoncua në gjendje të lirë drejtori i kompanisë eksportuese për akuzat e trafikimit të paligjshëm të mbetjeve dhe falsifikimit të dokumenteve.