Atlético Madridi nuk i la thuajse asnjë hapësirë Manchester City në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Të besuarit e Guardiolës arritën ta thyenin murin e mbrojtjes bardhekuqe vetëm në një aksion, në të cilin De Bruyne shënoi 1-0. Simeone ngriti një sistem të fortë mbrojtës, që shkaktoi shumë probleme për anglezët.
“Parashikuam se do të luanin me 5-3-2, por në realitet u përshtatën me 5-5-0. U kthyem në prehistori sonte, njëqind mijë vjet mbrapa. Është shumë e vështirë të sulmosh një modul 5-5-0, sepse nuk ke hapësira.
Është çështje durimi. U thashë në pjesën e parë se ishim mirë. Ndeshja u prish në pjesën e dytë. Dhe tashmë e ndjej që do të jetë një ndeshje e ngjashme me atë që do të luajmë në Madrid, në minutat pas golit”, – tha Guardiola pas ndeshjes.
Disa fjalë që sollën reagimin e kapitenit të Atlético Madridit. Koke ka postuar diçka në llogarinë e tij në Instagram, ku ka përdorur edhe fjalën “prehistori”, që trajneri i City kishte lakuar më parë, në analizën e tij të ndeshjes.
“I dashuruar me historinë tënde që nga prehistoria. Krenar që jam i Atlético Madridit”, – ka shkruar mesfushori në rrjetin social. Një mesazh që u shoqërua me një emblemë të klubit.
Simeone, nga ana e tij, i pyetur për skemën mbrojtëse që propozoi, tha: “Nëse vlerësohet një sistem sulmues koral, duhet vlerësuar edhe një sistem mbrojtës i fortë dhe i paturpshëm”.