Juventusi është duke iu afruar marrëveshjes me Maurizio Sarri, ndërsa Pep Guardiola mbetet i vendosur fort të vijojë në stolin e Manchester City. Kjo është ajo që rezulton të paktën nga fjalët e lëshuara nga trajneri spanjoll, i cili u shfaq duke ndjekur ndeshjen e basketbollit mes Manresa dhe Real Madridit, të dielën në mbrëmje.
Pas këtij eventi sportiv, Pep deklaroi për gazetarët se rivaliteti me gjermanin e “Reds” do të vijojë, ndërsa thotë se sezoni i do tw nisw nga zero: “Me Klopp kemi një rivalitet të mirë, por jo vetëm me atë dhe Liverpool. Janë pesë skuadra shumë të forta, prandaj Premier League është kaq tërheqëse dhe e fortë. Do ta fillojmë përsëri nga zero sezonin e ardhshëm dhe të shohim se çfarë mund të ndodhë”.
Guardiola, gjithashtu, shprehu mendimin e tij për të ardhmen e stolit të Barcelonës, duke “votuar” për Valverde: “Ernesto është një trajner spektakolar. Pavarësisht nga miqësia e madhe që na bashkon, ai bëri një punë të mrekullueshme. Eshtë e vërtetë që dështoi në Ligën e Kampionëve, por të gjithë humbasim. Barcelona e tij është një ekip që fitoi dy kampionate radhazi në La Liga, luan futboll të mirë, prandaj le të vazhdojë”.
Me pak fjalë, çdo gjë fillon të marrë formë në këto ditë të para të qershorit. Sezoni i ardhshëm do ta shohë Guardiolën sërish në stolin e “qytetarëve”, pa surpriza të bujshme, sikur përflitej javët e fundit, se mund të bashkohej me kampionët e Italisë. Maurizio Sarri duket se do të ulet në stolin e Juventusit.