Sport Guardiola rinovon kontratën me City-n. Gati oferta për Messin

Guardiola rinovon kontratën me City-n. Gati oferta për Messin

Pep Guardiola do të jetë trajner i Manchester City-t deri në vitin 2023. Citizens, nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, i kanë dhënë fund hamendësimeve mbi të ardhmen e trajnerit spanjoll, i cili e mori drejtimin e skuadrës në vitin 2016. Në përfundim të kontratës së re, Pep do të ketë kaluar plot 7 sezone në stolin e Citizens.

Guardiola: Kam gjithçka te City

Guardiola, pas nënshkrimit të kontratës së re, dha këtë deklaratë për faqen e klubit:

“Që kur kam mbërritur te Manchester City jam ndjerë i mirëpritur në klub, nga lojtarët, stafi, mbështetësit, njerëzit e Mançesterit e drejtuesit më të lartë. Që atëherë ne kemi arritur shumë suksese së bashku, kemi shënuar gola, kemi fituar ndeshje dhe trofe, dhe të gjithë jemi shumë krenarë për këto arritje. Të kesh këtë lloj mbështetjeje është gjëja më e mirë për çdo trajner. Kam gjithçka që mund të dëshiroja në punën time dhe jam i përulur nga besimi që pronari, presidenti, Ferran dhe Txiki kanë treguar tek unë për të vazhduar edhe për dy vjet pas këtij sezoni. Sfida për ne është të vazhdojmë të përmirësohemi dhe evoluojmë dhe unë jam shumë i lumtur që po ndihmoj Manchester City ta bëjë këtë.”

Jehona e nënshkrimit të kontratës se Pep me Manchester City-n ka shqetësuar ambientin te Barcelona, ku shtohet frika për largimin e Lionel Messit drejt Citizens sapo të përfundojë sezoni. Ditët e fundit në Angli dhe Spanjë kanë raportuar se një nga kushtet kryesore që 6 herë fituesi i Topit të Artë kishte për t’u transferuar në “Etihad” ishte qëndrimi i Pep Guardiolës.

Gati oferta për Messin

Në Angli presin që Leo Messi të bëhet pjesë e Premier League-s. Edhe më shumë tani që Pep Guardiola nënshkroi rinovimin e kontratës me Citizens. E donin verën që kaloi, kur “Pleshti” dërgoi burofaksin e famshëm nëpërmjet të cilit lajmëronte drejtuesit për përfundimin e kontratës, por duket se duan ta marrin edhe në dimër, edhe pse 33-vjeçari ka kontratë të paktën deri në qershor me Barcelonën. Sipas “The Sun”, Manchester City do të përgatisë një ofertë prej 55-60 milionë euro për ta marrë argjentinasin në dritaren e ardhshme të merkatos. Një transferim i tillë duket i vështirë, duke marrë parasysh situatën e klubit “blaugrana”, me zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në fund të janarit.

“The Sun” thekson gjithashtu që Manchester City mund të përfshijë në bisedime kartonin e Eric Garcías, mbrojtësit qendror të Citizens, aq shumë i kërkuar nga Barça, për të ulur disi çmimin e Leos.