Kanë qenë të shumta ngarkesat me kokainë të nisura nga Ekuadori dhe që kanë mbërritur në Shqipëri. Më i famshmi i këtyre porteve të nisjes është Guayaquil i cili sipas medieve vendase është kthyer në një pikë të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në një reportazh të këtyre medieve theksohet se si “trafikantët në Ballkan operojnë si pritës dhe mbajtës të kokainës ndërsa kanë si nënkontraktorë bandat lokale të Ekuadorit të cilat shërbejnë për sigurinë, logjistikën, ruajtjen, transportin dhe vrasjet”.
Kokat e tyre drejtojnë operacionet kriminale në burgje, ku zgjerimi në to ka qenë shumë i shpejtë.
Në shumicën e rasteve këto organizata kriminale nxjerrin përfitimet e tyre edhe nga shitja me pakicë e drogës në Ekuador.
Vetëm gjatë vitit të kaluar u kapën 17 tonë kokainë të destinuar për tregun e brendshëm dhe 507 kilogramë heroinë, një tjetër substancë me kërkesë të brendshme në rritje dhe për eksport në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ky depërtim shpërthyes i trafikut të drogës në Evropë shpjegon mirë pse në dekadën e fundit Guayaquil u shndërrua në një port ku sot bashkohen trafikantët shqiptarë, rusë dhe spanjollë të drogës, duke jetuar në komplekse rezidenciale luksoze në Samborondón.
Agjentët kundër narkotikëve besojnë se kufiri verior është rruga kryesore e përdorur nga klanet ballkanike për të kontrabanduar kokainën.
Zona kontrollohet nga disidentë të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), të kthyera tashmë në një parti politike, dhe anëtarë të La Constru, një organizatë paraushtarake që punon për kartelin Sinaloa dhe mafien shqiptare.
Nga viti 2014 deri në mars 2020, në Ekuador u arrestuan 24 persona të përfshirë në grupe ballkanike, veçanërisht nga Shqipëria.
Në nëntor 2020, persona të armatosur qëlluan për vdekje shqiptarin Adriatik Tresa në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tij, në zemër të Samborondón (Guayaquil).
Shqiptarët kanë krijuar edhe rrjete makro në Kolumbi, ku blejnë kokainë nga Klani i Gjirit dhe guerrilja ELN, e cila niset përmes porteve në veri të atij vendi, si Barranquilla” – thuhet në shkrimin e medieve ekuadroriane.