Pas më shumë se dy orësh guerilje në Tiranë, protesta për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha është mbyllur.
Në ditën e tretë të saj, policia e shpërndau shpejt grumbullimin pranë Kryeministrisë. Sapo nisën goditjet e para në drejtim të tyre nga një grup minorenësh, forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës, ndërsa në veprim u vunë edhe makinat e ujit.
Protestuesit u shpërndanë, ndërsa forcat e policisë u vunë pas tyre për më shumë se dy orë duke hedhur gaz lotsjellës në disa zona të Tiranës në ndjekje të protestuesve.
Një ditë më parë, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen si ministër i Brendshëm. Por protestuesit thonë se kërkojnë edhe dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliut.
Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit janë zhvilluar protesta pas vrasjes së Klodian Rashës.
Në Korçë qytetarët kanë marshuar në bulevardin kryesor, ata kanë kërkuar dorëheqjen e Ardi Veliut.
Edhe në Durrës një grup qytetarësh janë mbledhur për të protestuar.
Në Pogradec protestuesit kanë marshuar në rrugët kryesore. Me pankarta në duar, duke thënë se nuk kanë rëndësi dritat e qytetit se sa jeta e një qyteti, atë kanë ripërsëritur thirrjet për dorëheqjen e Drejtorit të Policisë.
Protesta janë zhvilluar në Fier dhe në disa qytete të tjera, të cilat kanë qenë paqësore.