Guvernatori i Shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo mbajti konferencën e fundit ditore për koronavirusin, duke thënë se pas 111 ditësh shteti i tij kishte “bërë të pamundurën” në luftën kundër sëmundjes.
“Në fillim, ky virus na goditi shumë“, tha zoti Cuomo në një fjalim të stilit presidencial që ishte ndryshe nga konferencat e tij të zakonshme për shtyp. “Kur filloi kjo, ne patëm më shumë raste për frymë se çdo shtet në vend ose ndonjë komb në botë. Por sot, kemi bërë një kthesë të plotë 180 gradë – nga më e keqja, tek vendi i parë”.
Ai tha se shtrimet në spital të enjten për virusin ishin 1’284 – niveli më i ulët deri më tani. Shteti i Nju Jorkut ka një nivel të lartë rekord për testime – gati 80’000 teste në ditë – dhe shkalla e infeksionit është më pak se 1 përqind. Numri i të vdekurve për javën e kaluar ka mbetur nën 32 në ditë – një rënie dramatike nga niveli i afro 800 njerëzve çdo ditë në javën e dytë të Prillit.
“Duke zvogëluar shkallën e infeksionit, ne shpëtuam mbi 100,000 njerëz nga shtrimi në spital dhe ndoshta nga vdekja”, tha guvernatori për modelet që kishin parashikuar se çfarë do të ndodhte pa kufizime dhe distancim fizik. “Është një arritje e paimagjinueshme. Jam shumë krenar për atë që bëmë të gjithë së bashku dhe si komunitet”.
Por, shteti me 19.5 milionë banorë pësoi sidoqoftë dëme të mëdha njerëzore dhe financiare. Gati 400’000 banorë kanë rezultuar pozitivë nga testimi për COVID-19 dhe të paktën 25’000 kanë vdekur. Miliona kanë humbur vendet e punës, shumë biznese po vuajnë pasojat dhe disa mund të mos i mbijetojnë mbylljes ekonomike.
Shteti i Nju Jorkut është aktualisht në faza të ndryshme të rihapjes së ekonomisë së tij, bazuar në mënyrën se si virusi ka prekur secilin prej 10 rajoneve të tij. Më shumë pjesë rurale të shtetit, të cilat pësuan shkallë shumë të ulët të infeksionit, filluan rihapjen e tyre katërfazore në 15 maj, por qyteti i Nju Jorkut – i cili kishte shkallën më të lartë të infeksionit – filloi fazën e parë të rihapjes vetëm në 8 qershor dhe do të kalojë në fazën dy të hënën.
“Ne rihapëm ekonominë dhe shpëtuam jetë, sepse asnjëherë nuk ishte zgjedhje midis njërës apo tjetrës“, tha zoti Cuomo.
Seancat informuese të mëngjesit nga guvernatori ishin bërë emisione të domosdoshme televizive për rreth 59 milionë njerëz që kërkonin udhëzime dhe ngushëllim gjatë pikut të pandemisë COVID-19. Ata e ndiqnin nëpërmjet jo vetëm rrjeteve televizive kabllore në shtetin e tij, por në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe ndërkombëtarisht. Dihet se Presidenti Donald Trump i shikonte seancat informuese – dhe herë pas here shkruante në Twitter për to.
Guvernatori Cuomo përdori platformën e përditshme për të folur në mënyrë të qartë, por edhe urgjente, duke detyruar banorët e Nju Jorkut të marrin seriozisht kërcënimin e virusit dhe të zbatojnë kufizimet e rrepta të qëndrimit në shtëpi dhe pezullimin e bizneseve jo thelbësore.
“Ne e ndryshuam atë trajektore”, tha zoti Cuomo në një montazh filmik tre-minutësh ku përshkruhet me vetë zërin e tij, dhe që në vazhdim pasohet nga muzikë sentimentale. “As nuk e dija të ishte e mundur. Ka të bëjë me atë që njerëzit vendosin të bëjnë. Ata e kanë ulur këtë normë infeksioni”.
Guvernatori demokrat përdori gjithashtu seancat informuese për t’ua kthyer goditjet politikanëve republikanë në Uashington, që ai mendon se e trajtuan padrejtësisht Nju Jorkun.Ai përmendi vazhdimisht se nuk ishte një krizë e një “shteti të kuq apo një shteti blu”, por një krizë kombëtare.
Guvernatori Cuomo zbuti gjithashtu zymtësinë e të dhënave të përditshme për shkallën e infeksionit, shtrimet në spital dhe vdekjet, me anekdota humoristike për familjen e tij, si p.sh. marakonat spageti të së dielës dhe drekat me qofte me tre vajzat e tij.
Ai madje ofroi këshilla për prindërit: “Kurrë nuk mund të thuash që nuk të pëlqen i dashuri (i vajzës); e mësova këtë duke e pësuar”. Ai ngacmoi vëllanë e tij të vogël, gazetarin Chris Cuomo, i cili iu bashkua konferencës së tij me video nga bodrumi i shtëpisë së tij, ku ai ishte izoluar nga pjesa tjetër e familjes së tij pasi u infektua me koronavirusin. Dhe guvernatori madje u ankua në mes të fazës së izolimit se qeni i tij, Kapiteni, ishte lodhur duke e parë kaq shumë në shtëpi.
Cuomo, 62 vjeç, është një guvernator i gjeneratës së dytë në New York, aktualisht në mandatin e tij të tretë. Babai i tij, i ndjeri Mario Cuomo, gjithashtu ishte një guvernator për tre mandate, nga 1983-1994. Cuomo është i divorcuar nga Kerry Kennedy, vajza e kandidatit të vrarë për president Robert F. Kennedy. Guvernatori vazhdimisht ka mohuar që ai ka ambicie presidenciale të tijat./VOA