Zgjedhja e bujar Spahiut me 59 vota në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar duket se e ka lënë të pakënaqur myftiun e Tiranës, Ylli Gurra, i cili proklamohej si fituesi i mundshëm i zgjedhjeve pas tërheqjes nga gara të Skënder Brucajt.
Sipas Ylli Gurrës, procesi është ndikuar nga palët të tjera për katapultimin e fituesit, Bujar Spahiu, në krye të KMSH.
“Kam detyrimin e të ngarkoj përgjegjësinë e realitetit shqiptar. Gylenistët nuk janë pa ndikime në këtë katapultime.
Prej 17 vitesh shërbej në këtë komunitet. Nga përgjegjësitë më të vogla deri në ato më të mëdha si myftiu i Tiranës. Komuniteti sot duhet të ishte një ndryshim me shqiptarët për shqiptarë dhe me interes, fillim e mbarim, fund e krye të ardhmen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. KMSH nuk është peng i askujt, i asnjë qeverie që mban peng këtu brenda, që mua sot më akuzojnë me të padrejtë. KMSH duhet të ishte sot në frymën e ndryshimit, në frymën e unitetit, në frymën e parandalimit të ekstremizmit. Komuniteti është lënë në mëshirë të fatit”, tha Gurra.
Gurra mohoi dorëheqjen si Myftiu i Tiranës por iu përgjigj me ashpërsi akuzave të hedhura nga politika në drejtim të tij, teksa dje ish-kryeministri Berisha e cilësoi të besuarin e Edi Ramës dhe Taulant Ballës.
Sipas tij zanafilla e këtij procesi zgjedhor daton më 8 mars të 2014, kur “KMSH-së iu katapultua nga këto organizma okult një kryetar”, dhe këtu ai e pati fjalën për ish-kryetarin Skënder Brucaj.
“Mënyra si u katapultua asokohe para 5 vitesh këtë realitet do të sillte sot. Nuk kam asnjë arsye që të jap dorëheqjen. Unë isha jo në një garë, por në marrjen e një përgjegjësie nga besimtarët myslimanë. Nuk ka arsye të dorëhiqet myftiu i Tiranës. Unë jam shqiptar, jam mysliman, ushtar i askujt majtas apo djathtas, ushtar i askujt në Anadoll, por jam ushtar i shërbimit tim në këtë vend dhe për këtë vend”, theksoi Gurra.