Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është përgjigjur disa pyetjeve pikantë në ‘Podcastin e Lirisë’, duke treguar më shumë nga jeta e tij personale.
Pyetjes se kë rival do të zgjidhte për të mbijetuar në një ishull të shkretë, Meta iu përgjigjes se është përballë të gjithëve përfshirë edhe ata që quhen rivalë.
Pyetje: Nëse do të duhej të mbijetonit në një ishull të shkretë me një nga rivalët tuaj politikë, kë do të zgjidhnit dhe pse?
Ilir Meta: Në radhë të parë kjo është e pamundur të ndodhi, e dytë unë jam këtu për të qenë gjithmonë përballë të gjithëve, përfshirë edhe ata që ju i quani rivalë. Jo vetëm kaq, por përfshirë edhe të cilët qëndrojnë pas rivalëve formalë që janë armiq të sovranitetit të Shqipërisë dhe do të donin që unë të ikja në një ishull dhe të shikoja jetën time edhe pa rivalët.
Meta foli edhe për thashethemin më të çuditshëm që ka dëgjuar per vetën e tij: “Thashethemi më qesharak që kam dëgjuar është kur isha në Austri për të bërë disa analiza, kur ndodhi arrestimi i turpshëm i Jamarbër Malltezit dhe kur ndodhi ajo akuza e turpshme kundër Berishës, që unë kisha kërkuar strehim në Austri apo Hungari”
Ndërsa sa i takon preferencave kulinare, Meta tha se i pëlqen fasulja dhe nga frutat, fiku dhe shega.
“Te gatimi i preferuar është çik problem, sepse në këtë jetë që erdhëm nga një sistem me probleme dhe kufizime ushqimore siç ishte komunizmi, unë nuk mund të ankohem se prindërit vinin nga një tjetër shtresë dhe nuk na ka munguar gjë, por e them shpesh me të qeshur se kishim alergji ndaj fasuleve, sepse kudo ku shkonim kishim fasule. Tani ndodh që pas kaq vitesh fasulja përsëri është një gjellë e preferuar, sepse është shumë e shëndetshme. Nëse nuk ka tre herë në javë fasule ose diçka të tillë e kam të vështirë”, tha Ilir Meta.