Sport Haaland, lojtari me vlerën më të lartë në botë, zbehet ylli i...

Haaland, lojtari me vlerën më të lartë në botë, zbehet ylli i Mbappé

Klubet me vlerën më të lartë, Barça e fundit në top-10, dominojnë anglezet. Manchester City, Chelsea, Manchester United dhe Liverpooli mbajnë katër pozitat e para, ndërsa Tottenhami është teti.

Vlerat e lojtarëve, të cilat kanë rënë në total me 20% në periudhën e krizës së koronavirusit, kanë mbetur të qëndrueshme, me pak lojtarë të cilët kanë rifituar vlerën e tyre të tregut të para pandemisë, sipas një analize të përditësuar të KPMG Football Benchmark për vlerën në treg të futbollistëve.

Në pranverë të vitit 2020, KPMG raportoi rënie me 19.6% të vlerës totale të 500 lojtarëve, dhe me 17.9% të 100 futbollistëve të parë.

Kampionati i vetëm që “shkon kundër rrymës” është pa diskutim Premier League e fuqishme angleze, ku sipas KPMG, vlera mesatare e tregut të një futbollisti është 21.2 milionë euro dhe thuajse dyfishi i vlerës mesatare të një lojtari në Bundesligën gjermane apo në La Liga spanjolle (përkatësisht 11.4 milionë euro dhe 11 milionë euro).

Primeira Liga portugeze është kampionati me vlerën më të lartë jashtë tradicionales “Big 5” (pesë kampionatet më të mëdha në Europë), ndjekur nga Eredivisie holandeze, Premier League ruse dhe më pas nga Championship të kategorisë së dytë angleze.

“Duke marrë në konsideratë ndryshimin nga viti në vit, vlera mesatare në treg e një lojtari në Premier League angleze (EPL) është rritur me 2.7 milionë euro (+15%) krahasuar me dhjetorin 2020, ndjekur nga Ligue 1 (+0,7 milion euro, rritje me 8%) dhe nga Primeira Liga (+0,6 milion euro, +27%). Një rritje e vogël është regjistruar në Bundesligë, në La Liga, Serie A dhe në Süper Lig turke, ndërkohë që vlerat mesatare të futbollistëve u reduktuan lehtë në Argjentinë, Holandë dhe në kampionatin anglez EFL” – shkruhet në raportin e KPMG.

Vlerat skuadrave

Nëse shohim te vlerat e skuadrave, klubet e Premier League zënë pesë nga dhjetë vendet e para, me tre klubet e para – Manchester City, Chelsea dhe Manchester United – të gjithë me vlerë skuadre më të lartë se 1 miliard euro.

Raporti thekson rritjen me 42% të vlerës së skuadrës fituese të Champions League, Chelsea, e mbështetur “pjesërisht nga Romelu Lukaku, i cili nënshkroi marrëveshje me klubin këtë verë dhe nga rritja e talenteve të reja si Mason Mount apo Reece James. Nga pesë klubet e Premier League angleze në këtë klasifikim, vetëm Tottenham ka pësuar rënie të ndjeshme të vlerës totale të skuadrës (-24%) në terma nga viti në vit.

Dështimi i Barcelonës në aspektin sportiv është reflektuar ndjeshëm edhe në vlerën e skuadrës. Klubi “blaugrana” është i fundit në top-10 me vlerë 701 milionë euro, ndërsa para tij qëndron Atlético e Madridit (i nënti me 715 milionë euro). Kriza e Barcelonës ka bërë që të humbë 20 për qind të vlerës.

Lojtarë të fuqishëm

Nëse analizojmë më vete lojtarët, sipas algoritmit të KPMG, sulmuesi i Borussia Dortmund, Erling Haaland, është ende futbollisti me vlerën më të lartë në botë, me vlerë tregu 142 milionë euro. Klasifikimi i dhjetë lojtarëve të parë përfshin 8 futbollistë të Premier League – Mo Salah, Trent Alexander-Arnold e Phil Foden hyjnë në top 10 (Foden për herë të parë), ndërsa tre kanë dalë Neymar (nga vendi i 6 ka zbritur në të 15-in), Frenkie de Jong (nga vendi i 7 në të 11-in) dhe Kevin De Bruyne (nga vendi i 8 në të 12-in).

KPMG thekson se vlera e Foden është më shumë se dyfishuar në një vit (nga 49.5 milionë euro në dhjetor 2020 në 117 milionë sot). Vlera e tregut të Haaland është shtuar me 32 milionë euro – në dhjetor të vitit të kaluar, ai renditej i 10-i me 110 milionë euro.

“Në të kundërt, Mbappé ka humbur 71.8 milionë euro të vlerës së tij pas një viti, kryesisht për shkak të përfundimit të kontratës verën e ardhshme” – shkruan raporti.

“Nga klasifikimi i dhjetë futbollistëve të parë në dhjetor 2020, kanë mbetur vetëm gjashtë, duke sinjalizuar një ndryshim gradual në lojë. Katër futbollistë që nuk kanë mundur të ruajnë pozicionin e tyre në top 10 janë Raheem Sterling (vendi i 2-të një vit më parë, sot i 21-ti), Neymar (nga vendi i 4 në të 15-in), Sadio Mané (nga vendi i 7 në të 30-in) dhe Kevin De Bruyne (nga vendi 8 në të 12-in)”.