Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e konsideron pozitive daljen e qytetarëve në protestë, që është thirrur sot nga opozita në orën 19:00.
Në fjalën e saj në Parlament, ministrja Spiropali tha se do të donte që në këtë protestë të shikonte qytetarë që janë prekur nga kriza ekonomike.
Spiropali ka sulmuar ish-kryeministrin Sali Berisha, duke i thënë se po e përdor këtë protestë për t’u rikthyer në pushtet, teksa ka theksuar se gjatë kësaj proteste ajo do të jetë brenda godinës së Kryeministrisë.
“Sot para Kryeministrisë ka një protestë. Shpresoj të mos habiteni nëse ju them që është një gjë mjaft e mirë që qytetarët dalin në bulevard. Ju a thotë një njeri që ka kaluar ditë të tëra në po atë bulevard duke protestuar me uri për lirinë e votës, për një të drejtë që ai që foli na e mohoi. Do doja aty të shihja ata që i godet kriza dhe jo ata që janë bashkëaksionerë në ashpërsimin e saj.
Do doja qytetarë që numërojnë lekët e fundvitit dhe jo ata që vijnë në bulevard me Range Rover dhe i përdorin ata si mish për topat e luftës për pushtet. Do doja të shikoja qytetarët e së nesërmes dhe jo fantazmat e së shkuarës, jo komunistin e fundit të Europës që kërkon të vijë sërish në pushtet. Pi ujë Sali, kudo të jesh, është vapë dhe të pret një pasdite e lodhshme në shesh ty dhe flamujt e lodhur të protestës tënde vetmitare dhe private. Po kërkon të rishpikësh vetveten, por ti e di edhe vetë se uji yt ka sosur.
Ke thyer kaq shpesh gotën tonë, ngri furtunën e radhës në gotën tënde të përbashkët, dëmto mjedisin tonë të përbashkët, por mos kujto se dhe ata që ke rrotull nuk e dinë që janë thjesht mercenarë në një luftë që nuk ju përket.
Për paradoks, protestuesit më të ashpër ndaj kësaj qeverisje, të pakënaqurit më të mëdhenj me këtë qeverisje do t’i keni përballë. Do të jetë në katin e dytë të Kryeministrisë, Sali, aty nga ku ti shihje Gardën që qëllonte mbi protestuesit do të shohësh jo Kryeministrin, por kryeprotestuesin”, u shpreh ministrja Spiropali.