Kosova Haga ngre aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, arrestohen tre persona të...

Haga ngre aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, arrestohen tre persona të tjerë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi të premten se ka ngritur një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nën dyshimin për pengim të drejtësisë, dhe se i ka arrestuar tre të dyshuar të tjerë për pengim të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Në një njoftim për media, ZPS-ja tha se i ka arrestuar ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun.

Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është urdhëruar të paraqitet në gjykatë, pasi akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës, thuhet në njoftim.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje. Në Dhomat e Specializuara gjithashtu është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së,  Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit.