Tone të ashpra përdori deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari kur reagoi pas lajmeve se në një tryezë mund të ulen Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta për të diskutuar për listat e hapura. Hajdari tha se opozita jashtë Parlamentit nuk e do hapjen e listave, por të bëjë pazar me Ramën.
“Listat e hapura janë diskutuar në Këshillin Politik dhe janë refuzuar nga opozita jashtëparlamentare se e kishin mendjen te tenderi i biometrikes. Nëse kanë ndryshuar mendje, le ta japin ok për propozimin tim dhe te rreshtohen me qytetarët. Nëse duan pazar me Edi Ramën, të na kursejnë show-n të tre, të mbyllen në vilat e tyre në fundjavë e ta bëjnë pa marrë kohë nga qytetarët të cilët duan lista të hapura e duan ndryshim sepse janë lodhur nga 30 vite pazar në kurriz të tyre”, tha Hajdari.
Qoftë opozita, ashtu edhe mazhoranca duket se janë vënë në lëvizje për të mundësuar një takim në Këshillin Politik, për të arritur një konsesus edhe me opozitën jashtëparlamentare për ndryshimet kushtetuese.