Rudina Hajdari i bëri thirrje Lulzim Bashës që të pranojë marrëveshjen për listat e hapura. Ajo u shpreh pas takimit të sotëm të Këshillit Politik se nuk duhet të humbet më kohë me ndryshimet kushtetuese, por ato të mbyllen deri më 30 korrik.
“Erdhëm për të diskutuar për ndryshimet kushtetuese dhe menduam se opozita parlamentare kishte ardhur me një agjendë për listat e hapura dhe ajo që pamë ishte një diskutim mbi marrëveshjen e 5 qershorit dhe nuk kishte asnjë reflektim. Dua t’i bëj thirrje opozitës jashtë parlamentit që të mos i rreshtojë demokratët me njerëzit që duan lista të mbyllura. Basha të mbështesë listat e hapura.
Kemi një shans historik për të hapur listat, i cili do ta ndihmonte opozitën. Nëse mendoni se në Këshillin Politik vihet thjesht për një marrëveshje, gaboheni. Opozita jashtë parlamentit pranoi se marrëveshja nuk është e plotë, atëherë pse Basha e braktisi parlamentin dhe i nxori njerëzit në rrugë. Ka bërë premtim pas premtimi që do të mbështesë listat e hapura dhe ky është një shans për opozitën jashtë parlamentit. Basha të mbrojë demokratët. Të mos humbim më kohë dhe ta mbyllim këtë marrëveshje më 30 korrik. Ne duhet t’i japim shqiptarëve një reformë dinjitoze.
Basha nuk duhet të ketë frikë për hile. Unë këtu nuk jam Edi Rama, por Rudina Hajdari”, u shpreh Rudina Hajdari.