Sali Berisha akuzon ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj se ka hedhur 4 firma në koncesionin për sterilizimin.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha e konsideron sterilizimin e mjeteve kirurgjikale si aferën e dytë të shekullit.
Duke komentuar deklaratën e një dite më parë të Ilir Beqajt se sterilizimi nuk është koncesion por partneritet publik-privat, Sali Berisha e vlerëson si mashtrim.
“Dje, Ilir Beqaj, ky monument i shëmtuar të korrupsionit të qeverisë, ky monument edhe më i shëmtuar i korrupsionit të tmerrshëm të SKAP-it të partisë, doli dje krenar, shend e verë dhe rrahu gjoksin për vjedhjen e tij.
Në daljen e tij të djeshme, me gjakftohtësi dhe koshiencë kriminale, pa treguar as më të voglën keqardhje apo pendesë, ai nuk njohu për vete dhe as për bashkëpunëtorët e tij të arrestuar, asnjë përgjegjësi apo faj për vjedhjen e dytë të shekullit, por e mbrojti sikur të mos ishin tetë zyrtarë dhe biznesmenë të arrestuar për këtë aferë 100 milionë euro dhe qindra jetë të humbura për shkak të saj.
Në deklaratën e tij, Beqaj, i shpëtuari i SKAP-it të partisë, u tha shqiptarëve se afera nuk është koncesion, por PPP dhe nuk është një e mirë që iu dha një privati për ta shfrytëzuar. Ai u tha shqiptarëve gënjeshtrën më të madhe të jetës së tij dhe duket se këtë gjë ka deklaruar edhe në SKAP-in e partisë dhe ky i fundit bëri sikur e besoi si të vërtetë dhe firmosi si në rastin e Erion Veliajt, amnistinë e tij.
Sipas këtij hajduti dymetrosh dhe mashtruesi patologjik me katër firma në aferën 100 milionë euro të sterilizimit, dhënia me firmën e tij dhe në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, e të drejtës së monopolit një privati, lexo vetes dhe ortakut të tij, për një shërbim që shteti e kryente me çmime dy-tre herë më të lira, nuk përbën një dhënie për një biznes privat dhe dhunim flagrant të buxhetit.
Këtë mashtrim të pacipë nuk mund ta besojë asnjë shqiptar, përveç Skapistëve politikë, që me urdhër të Edi Ramës nuk ngritën padi ndaj tij dhe e falën njësoj si Erion Veliajn.
PD fton shqiptarët të ngrihen në protesta të fuqishme kundër kësaj organizate që kryesohet nga Edi Rama. Sipas Beqajt, monopoli privat i sterilizimit ishte i domosdoshëm se vetëm ai mund të siguronte pastërtinë. Këtë mashtrim banal të hajdutit Beqaj nuk mund ta besojë një njeri mbi tokë, por me urdhër të Edi Ramës e besoi SKAP-i i partisë.
Prandaj njëlloj, si në rastin e Erion Veliajt, në vend të padisë penale, firmosi faljen e hajdutit të vjedhjes së dytë të shekullit. PD u bën thirrje qytetarëve të ngrihemi në protesta të fuqishme kundër kësaj organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama. Sipas Beqajt, dhënia falas e aparaturës ultramoderne të sterilizimit që mjaftonte për sterilizimet në të gjithë Shqipërinë, dhe ishte blerë me 1.7 milionë euro nga fondet e buxhetit, nuk është dhënie për një biznes privat, vetëm e vetëm pse këtij hajduti, gjëja e vjedhur i duket e vetja.
Këtë mashtrim nuk e beson asnjë shqiptar, por e besojnë Skapistët e partisë, që njësoj si me Erion Veliajn, firmosën amnistinë. PD u bën thirrje qytetarëve që të ngrihemi në protesta për të marrë në dorë fatin tonë dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo organizatë kriminale që kryesohet nga Edi Rama. Sipas Beqajt, me katër firma në aferën e sterilizimit, dhënia e privatit e një kati të spitalit, nuk është dhënie e një të mire për privatin.
Këtë mashtrim e besoi me urdhër të Edi Ramës, SKAP-i i partisë, prandaj edhe ata njësoj si në rastin e Erion Veliajt, amnistuan Beqajn për vjedhjen e dytë të shekullit. PD u bën thirrje qytetarëve të ngrihemi në protesta të fuqishme për të marrë në dorë fatin tonë dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo organizatë kriminale që drejtohet nga Edi Rama”.
Sali Berisha bëri akuza edhe në drejtim të SPAK lidhur me dokumentin origjinal të kontratës së koncesionit, se prokuroria ka përfshirë në fashikull kontratë të falsifikuar. Sipas Berishës, kontrata origjinale është e depozituar në të paktën 5 institucione.
“PD informon publikun se ekzistojnë të dhëna tronditëse që pohojnë se SKAP-i i partisë, për të manipuluar sipas urdhrave, hetimet, operon me kontrata të falsifikuara dhe jo origjinale.
Dje, mediat informuan nga prokuroria e posaçme se ky organ nuk kishte kontratën origjinale të vjedhjes së dytë të shekullit. Informojmë shqiptarët se kontrata origjinale është e depozituar:
-Në Prokurorinë e Tiranës, e cila pas 3 vitesh dhe 300 mijë euro ryshfet, e shpalli atë në përputhje me ligjin.
-Në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë.
-Në Ministrinë e Drejtësisë.
-Në Ministrinë e Financave, thesari i të cilës nuk mund të bëjë asnjë pagesë pa pasur kontratën origjinale.
-Në FSDKSH, organ që mund t’i bëjë asnjë pagesë kontraktonit pa kontratën origjinale.
-Kopjen origjinale e disponojnë të gjithë spitalet ku kryhet shërbimi.
-Kopjen origjinale e ka kontraktori i këtij shërbimi.
Për të gjitha këto, PD u bën thirrje qytetarëve të ngrihemi sa më parë në protesta të fuqishme për të marrë në dorë fatin tonë dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo organizatë kriminale që drejtohet nga Edi Rama”.