Një histori filmi ka ndodhur, pak ditë më parë, në Itali, pikërisht në Pompei, në afërsi të Napolit, i njohur, ndërkombëtarisht, si një nga sitet arkeologjike më të njohura në botë.
Gjithçka fillon me kamerierin e një kafeneje afër hyrjes së parkut, ku gjenden rrënojat e qytetit të mbuluar nga hiri i Vezuvit në vitin ’79, gjatë perandorisë romake. Personi pa një zarf të madh që gjendej jashtë lokalit, pa dërgues, por vetëm me një pullë kanadeze.
Djali i dorëzoi zarfin autoriteteve të parkut arkeologjik, që pothuajse nuk u besuan syve kur e hapën. Brenda ndodheshin një seri fragmentesh mozaiku, të marra nga një vilë romake, si dhe fragmente amforash. Me objektet e lashta ishte bashkëngjitur një letër që shpjegonte misterin e zarfit, e shkruar nga një çift kanadez.
“I kemi vjedhur këto objekte në Pompei, në vitin 2005. Ishim të rinj dhe budallenj. Por në to ka shumë energji negative, sepse vijnë nga një vend ku mijëra persona kanë gjetur një vdekje të tmerrshme”, shkruan gruaja misterioze, me emrin Kimberly, që tregon dhe çfarë i ndodhi asaj dhe familjes gjatë viteve. “Jam 36-vjeçare dhe kam pasur dy herë një kancer në gji, ku herën e fundit mjekët u detyruan të më heqin të dy gjinjtë. Për më shumë, familja ime ka pasur probleme financiare të mëdha. Jemi njerëz të mirë dhe nuk duam t’ia përcjellim fëmijëve këtë mallkim”.
Çifti mbyllte letrën duke siguruar që do të rikthehen në Itali për të kërkuar falje, personalisht, për atë akt që e cilësojnë si të “tmerrshëm”, dhe me pasoja negative në jetën e tyre.
Pompei dhe Ercolano, dy qytete të rëndësishme të perandorisë romake, u shkatërruan plotësisht në 24 gushtin e vitit ’79 nga shpërthimi i vullkanit Vezuv, që prej qindra vitesh nuk ishte më aktiv. Shpërthimi ishte aq i madh sa që ndryshoi përgjithmonë pamjen e vullkanit, dhe mbuloi me llavë dhe hi dy qytetet, ku temperatura shkoi deri në 300 gradë. Mijëra persona ndërruan jetë në çast, ndërkohë që disa prej tyre u shndërruan në statuja ku u ngulit përjetësisht terrori i atij momenti.