Një nga personazhet më ekstravagante dhe të përfolura gjatë kësaj jave në botë, ka qenë pikërisht trashëgimtarja e rreme me origjinë gjermano-ruse, Anna Sorokin. Nën një emër tjetër ajo kishte ndërtuar një stil jetese luksoze prej dhjetëra mijëra dollarë që kishte arritur t’i siguronte nga banka, hotele dhe miq, që e njihnin atë si një trashëgimtarë gjermane shumë të pasur.
Gjykata e Manhattan-it, në New York, e shpalli fajtore për një listë të gjatë akuzash të akumuluara gjatë një gjyqi një mujor, që tërhoqi vëmendje ndërkombëtare.
Avokati i saj mbrojtës, Todd Spodek, tha se Sorokin mund të përballet me 5, deri në 15 vjet burg për akuzën më serioze. Ajo është planifikuar të dënohet më 9 Maj. Ajo rriskon gjithashtu të deportohet në Gjermani sepse sipas autoriteteve ajo ka tejkaluar afatin e lejes së qëndrimit.
Duke përdorur emrin Anna Delvey, Sorokin mashtroi miqtë dhe institucionet financiare duke i bërë të mendonin se kishte një pasuri prej rreth 67 milionë dollarë jashtë shtetit, çka i lejonte asaj të kishte veshje të shtrenjta, hotele luksoze dhe udhëtime transatlantike. Ajo pretendonte se babai i saj ishte diplomat ose një baron i naftës, duke i bindur të tjerët të paguanin për të.
Sorokin u akuzua për falsifikim të dhënash financiare, për një kërkesë të paraqitur prej saj për një hua prej 22 milionë dollarësh që do t’i duheshin për të financuar një klub arti privat, që ajo donte të ndërtonte, të kompletuar me ekspozita, instalime dhe punime ‘pop-up’. Asaj ju mohua kredia, por arriti të bindte një bankë që t’i jepte 100,000 dollarë të cilat nuk ia ktheu më.
Avokati i saj, Spodek e portretizoi atë si një sipërmarrëse ambicioze por nuk kishte qëllime kriminale.
Spodek tha se Sorokin ishte “e mërzitur, siç do të ishte gjithkush”, pas vendimit. Por ai tha se ishte i kënaqur që Sorokin ishte liruar nga një nga akuzat më serioze në aktakuzë: Përpjekje për vjedhje të më shumë se 1 milion dollarë nga Banka Kombëtare e Qytetit.