Hakerat iranianë kanë publikuar një listë me të dhënat e patentave të shtetasve shqiptarë. Publikimin, ata e kanë bërë këtë të hënë në rrjetin social, Telegram.
Në listë, shfaqen ndër të tjera emrat, mbiemrat, vitet e lindjes, adresat si dhe targat e automjeteve të shqiptarëve.
Në përshkrimin e tyre në Telegram, hakerat shkruajnë se në formë pyetje, duke thënë se a është më e rëndësishme siguria e shqiptarëve sesa ajo e terroristëve.
Më herët, hakerat iranianë publikuan të dhënat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Po ashtu faqja Homeland Justice, publikoi dhe të dhënat të nëndrejtorit të ri të SHISH Oljan Kanushi.
Që prej vitit 2021, Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të këtij viti, që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platformën e shërbimeve online e-Albania.
Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.