Vetëm 60 qytetarë u drejtuan sot në kutitë e votimit në Lazarat. Kjo shifër përbën vetëm 2.2% të totalit të qytetarëve me të drejtë vote në Lazarat, që arrin në 2700.
Nga raportimet që po vijnë nga i gjithë vendi, Lazarati ka vendosur deri më tani rekordin më të ulët të pjesëmarrjes në votime.
Lazarati, një zonë historikisht e djathtë, nuk ia ka falur mazhorancës aksionin për daljen e këtij fshati nga harta e kanabisit.
Sa i përket qarkut të Gjirokastrës, ku përfshihet edhe Lazarati, pjesëmarrja në votime ka arritur deri në 22.9%. Ky qark njihet edhe si një prej bastioneve të Partisë Socialiste.
Edhe pse procesi i votimit në të gjithë Shqipërinë ka përfunduar prej 1 ore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë ende publike shifrën e pjesëmarrjes në rang vendi.