Pas rreth tre javësh nga dita e sotme, astronauti amerikan Mark Vande Hei është planifikuar të kthehet në Tokë dhe të zbarkojë në shkretëtirën e Kazakistanit me dy kozmonautë rusë me ndihmën e një kapsule hapësinore ruse. Deri më tani, bashkëpunimi i SHBA me Rusinë në hapësirë ka qenë shumë larg konflikteve mes dy superfuqive. Por tani, me luftën e Putinit në Ukrainë, bashkëpunimi i mirë Moskë-Uashington duket se wshtw thyer.
Sipas një postimi të drejtorit të agjencisë ruse hapësinore “Roscosmos”, Dmitry Rogozin, pas sanksioneve të ashpra amerikane ndaj Rusisë, ka shumë të ngjarë që misioni i ardhshëm i kthimit në Tokë të anijes ruse Soyuz të mos përfshijë astronautin amerikan. Nëse rusët përfundimisht refuzojnë të sjellin astronautin amerikan, atëherë ata do të ndërpresin të gjithë programin e ndryshimit të ekuipazhit të ISS.
Përveç kësaj, kthimi i Mark Vande Hei do të duhet të bëhet nga një anije kozmike amerikane.
“Kur jeni në hapësirë dhe fluturoni rreth Tokës me 17,500 milje në orë dhe në një mjedis shumë të rrezikshëm, bashkëpunimi është gjëja më e rëndësishme”, tha ish-astronauti amerikan Scott Kelly, duke komentuar kërcënimet ruse. “Për 24 vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë punuar së bashku për të ndërtuar dhe mirëmbajtur Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), ku kërkimet kanë çuar në disa nga zbulimet më të rëndësishme të shekullit të 21-të. Por tani gjërat po ndërlikohen”.
Gjithsej shtatë astronautë janë aktualisht në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, duke përfshirë katër amerikanë, një gjerman dhe dy rusë. Amerikani Mark Vande Hei tashmë mban rekordin për fluturimin më të gjatë në hapësirë. Për tre javë ai do të ketë plotësuar 355 ditë në hapësirë dhe sipas planit është radha e tij të kthehet në Tokë.
Për amerikanin Cady Coleman, ish-astronaut i NASA-s, “Hapësira është e vështirë dhe e rrezikshme”. “Dhe nga përvoja ime … ne duhet të ndajmë problemet tona me partnerët tanë rusë. Unë isha atje lart me tre kozmonautët rusë. Ne kemi ndarë dhe vazhdojmë të ndajmë një qëllim, të eksplorojmë hapësirën… dhe ky qëllim nuk ndryshon nëse jemi në Tokë apo jetojmë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.”
Pas pushtimit rus të Ukrainës pothuajse dy javë më parë, presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi sanksione të reja kundër Moskës, duke përfshirë një shkurtim në më shumë se gjysmën e importeve të teknologjisë së lartë të Rusisë. “Këto shkurtime do të degradojnë industrinë ruse të hapësirës ajrore, përfshirë programin e tyre hapësinor”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë në një fjalim në Zyrën Ovale më 24 shkurt.