Sport Halaand, prototipi i sportistit që nuk është parë kurrë më parë

Halaand, prototipi i sportistit që nuk është parë kurrë më parë

Shkatërrues, i egër, i shpejtë, i fuqishëm, i pakapshëm. Praktikisht mitologjik, Erling Haaland, sulmuesi i Borusia Dortmund, autor i dy golave në fitoren ndaj PSG-së në Champions, mishëron diçka që nuk është parë në të kaluarën: është një sportist jashtëzakonisht potent dhe elastik, që transmeton energji dhe emocione dhe që duket sikur e përjeton ndeshjen në një mënyrë të veçantë.

Evoluimi dhe progresi sportiv vitet e fundit duket sikur nuk ka më trendin për të prodhuar lojtarë të fuqishëm gati përtej limiteve njerëzore, shumë të fortë fizikisht, siç ndodhte më parë, por lojtarë me teknikë të lartë, si Curry në basketboll, Kristoffersen në ski dhe Neymar në futboll. Në mënyrë specifike Neymar dukej vërtet lojtari i epokës post Cristiano Ronaldo-Messi. Pra, modeli i lojtarit që ka gjithmonë topin nën kontroll, i shpejtë dhe shumë teknik, e bënin brazilianin imazhin e së ardhmes.

Në raport me të kaluarën, evoluimi në sport është kaq i shpejtë saqë këta lojtarë të evidentuar vetëm 4 vjet më parë, duket sikur janë pjesë e së kaluarës prej një kohe të gjatë. Sot kemi dy modele sportistësh në majë të piramidës, me prototipin e dytë që duket si diçka që nuk është parë më parë. Nga njëra janë sportistët që kanë ditur shumë mirë të kombinojnë fuqinë atletike me elegancën, duke e ngjyrosur me teknikën sipas llojit të sportit që ushtrojnë. Miksimi i fuqisë, teknikës dhe elegancës ka krijuar sportistë që kanë një karakteristikë të madhe të përbashkët: esencialitetin. Personazhet më të njohur të kësaj tipologjie lojtari janë Egan Bernal në çiklizëm dhe në futboll Harry Kane, shembulli i mrekullueshëm i qendërsulmuesit. Lojtar i fortë fizikisht, elegant dhe teknik, i bukur për t’u parë.

Dhe kur dukej se ky do të ishte modeli i ri atletik i sportistit, por ja ku na del një tjetër, që vjen me një shpejtësi të frikshme, nëse mendojmë për kohën që duhej për të kaluar nga Pelé te Cruyff dhe te Maradona në futboll, apo nga Mennea te Carl Lewis dhe Donovan Bailey në atletikën e lehtë. Sot janë të paktën katër sportistë që po na thonë diçka ndryshe në katër disiplina të ndryshme. Ata janë Zion Williamson në basketboll, Johannes Klaebo në ski, Mathieu van der Poel në çiklizëm dhe Erling Haaland në futboll.

Që të katërt kanë të paktën tre karakteristika që i veçojnë nga standardi. Para së gjithash, kanë një trup gati të pabesueshëm, janë gjigantë, por në të njëjtën kohë me një shpërndarje muskujsh harmonike që të frikëson. Janë trupa që rastësisht kanë zgjedhur një disiplinë sportive.

Karakteristika e dytë, e lidhur direkt me të parën, është se të katërt arrijnë të mbajnë bashkë fuqinë muskulore me elegancën dhe elasticitetin. Para tyre ishte e pakonceptueshme që trupa kaq të fuqishëm të ishin kaq elegantë. Dhe ky është fryt jo vetëm i programeve të stërvitjes ndryshe nga e kaluara, por edhe i vëmendjes që ka tashmë teknika në të gjithë nivelet e rritjes së një sportisti. Mjafton ta shohësh Haland të shkëputet në linjën e pozicionit jashtë loje. Bie menjëherë në sy aftësia e rrallë e këtyre sportistëve për të bashkuar shpejtësinë me fuqinë dhe teknikën në një të vetme, diçka që nuk ka ndodhur më parë.

Këta sportistë kanë edhe një karakteristikë tjetër: një energji emocionale shumë tërheqëse. Kanë një dhunti të veçantë, një impuls të vazhdueshëm që bën për vete sytë e spektatorëve. Kur ata janë në fushë, tapet apo në pistë, marrin gjithë vëmendjen me atë që bëjnë, janë gati tredimensionalë vetëm duke lëvizur në fushë. Me një lëvizje të vogël janë të aftë të stampohen në sytë e atyre që i shikojnë, të cilët humbasin gjithçka tjetër. I sheh vetëm një herë dhe e kupton se janë më e mira e mundshme. Ata duket sikur e përjetojnë garën komplet ndryshe. Janë 4 “Minotaurë”, sepse janë shkatërrues, të egër, të shpejtë, të fuqishëm dhe të pakapshëm, sepse janë prototipi ri që po njohim.