Refik Halili flet rrallë, nuk ka shumë arsye për të dalë para mediave dhe këtë e pranon edhe vetë, për shkak të dështimeve të Tiranës në vitet e fundit.
Megjithatë, kur flet, Refik Halili nuk ndalet, duke e kthyer thuajse në një monolog pa fund, ku zbraz në një farë mënyre stresin dhe mllefin e akumuluar për një kohë të gjatë. Kjo ndodhi mbrëmë në emisionin “Zona Gol” në Supersport, ku presidenti i Tiranës u vendos përballë gazetarëve dhe analistëve të njohur dhe praktikisht foli sa për një vit.
Kriza e Tiranës, investimet dhe shpenzimet e Halilit, Ze Maria dhe merkatoja, tema të njohura tashmë, por Halili foli mbi të gjitha për donatorët që shpreson të afrojë te Tirana dhe zbuloi bujshëm se synimi i tij është ndërtimi i një stadiumi të ri mbi “Selman Stërmasin”.
Aktualiteti, kriza dhe shpenzimet – “Po mundohemi që të shkojmë drejt zbardhjes së problemeve që edhe i kemi trashëguar. Paralelisht jam munduar që të bëj një skuadër, kur ka qenë një ekip shumë i mirë, por nuk u futëm as në Europë në vitet 2014-2015. Kam pyetur veten nëse jam unë fajtori për këto rezultate, por u rikujtoj se kemi pasur 5 futbollistë të paguar me një mesatare prej 100 milion lekësh në vit”.
“Gjatë kësaj periudhe kam qenë i rënduar dhe i goditur nga shumë probleme që ka pasuar klubi. 95% janë të trashëguara. Ka qenë një borxh shumë i frikshëm. Viti që na hodhën dhe na çuan në Kategorinë e Parë, kishim sportistë që i çuam në Europë, çka nuk ka ndodhur më parë. Ishte një vit shumë i suksesshëm për të ardhurat, por nuk do të harrohet kurrë. Unë do mbetem si njeriu më i keq, që e çova klubin drejt rënies. Ka pasur një dorë, që për këto gjëra kanë qenë të mirëorganizuar dhe shumë të fshehtë dhe na hodhën poshtë. Unë dua t’i hedh pas shpine, edhe pse nuk harrohen kurrë.
Ambicia europiane, që këtë sezon – “Duhet të vijojmë kampionatin dhe të arrijmë Kupat e Europës. Unë shoh vendet e para të renditjes dhe 32 pikë nuk janë larg, të paktën në Europa League mund të shkojmë. Ëndrra ime është që ta çoj klubin drejt likuidimit. Çdo ditë para pak kohësh ka pasur ndonjë dokument nga zyrat e përmbarimit. Është shumë e rëndë dhe një goditje shumë e madhe”.
Ze Maria dhe largimi pa suksese: “Bëmë një marrëveshje të shpejtë, pa probleme financiare, duke rritur dhe pak çmimin. Kushtet i kishte të shkëlqyer, shtëpinë në mes të bllokut. As unë nuk e kam si ai. Vetëm për rezultatet e ndërpremë kontratën. E ftova dhe i thashë si mund të vazhdojmë dhe më premtoi kthesën, por në fund ramë dakord se kjo nuk mund të vazhdonte.
Titulli kampion, premtimi i madh – “Tirana do të jetë një klubi i mirëorganizuar dhe do të ketë një ndryshim shumë të madh. Është gjë e madhe, pasi po vijnë bashkëpronarë për ta çuar para klubin, sepse klubi po shkon edhe drejt pastrimit. Ne kemi dashur që të paguanim detyrimet dhe nuk e bënim dot, pasi nuk mund të hapnim numër llogarie, por nuk mundeshim, sidomos kur kishim detyrime jashtë Shqipërisë. Duhet të pastrohet kjo gjë. Është një shumë 260 milionë lekësh të vjetra për gjëra të ndryshme për gjërat e vogla, duke nisur që nga xhamat, telefoni deri te detyrime ndaj ish-punonjësve në klub. Nga viti i ardhshëm do të marshojmë dhe nuk do të ndalemi më, do luftojmë për titullin kampion”.
Ideja e bujshme, stadiumi i ri – “Rënia nga kategoria ndodhi dhe në të ardhmen uroj që ky stadium të bëhet totalisht i ri. Uroj që me shembjen do të ikin dhe do harrohen të gjitha dhe skuadra jonë do të ecë para. Stadiumi është një ferrë, me një rrethim të vjetër dhe do ishte mirë për kryeqytetin që të bëjmë një ndërtim dhe një klub modern. Klubi do marshonte para me një ndërtim të ri”.
Gabimi i madh pas rënies nga Superiorja – “Kur ramë, doja të mbaja grupin që kishim dhe në fakt bëra gabim, sepse duhej të shkatërrohej grupi. Me ato paga i mbajta lojtarët dhe arritëm të riktheheshim. Këtu mund të kem gabuar. Nëse sot më thotë trajneri të largojmë këdo lojtar, do futeshim në bisedime për të zgjidhur kontratën.
Donatorët e rinj, kush do jenë? – “Të gjithë janë të interesuar për donatorët. Kam dëshirë të bashkëpunoj me njerëz afër futbollit. Shpresoj që unë të zgjedh ata që janë afër futbollit dhe biznesmenë të suksesshëm.
“Më duket e tmerrshme që të mendohet ‘të largojmë Refikun e ta kemi gati’. Unë jam gati të bashkëpunoj dhe të ecim para me sa më shumë donatorë. Për këtë klub nuk them për anën sportive, por për investimet dhe për të gjitha gjërat që kam arritur të marr, kam arritur të likuidoj 1 miliard e 600 milionë lekë të vjetra borxhe. Mund të ishim pa stadium. Nuk mund të vijë dikush të thotë hajde e hape krahun.
“Janë shumë njerëz, mbi 4-5 persona, që janë edhe kompani dhe njerëz të rëndësishme të biznesit. Më vjen edhe keq ta them, por ka një lloj interesi, duke parë asetet në shumë vlerë. Edhe nga një herë them se jam dakord të bashkëpunoj me këdo, pasi është edhe vetë pjesa e Bashkisë, por gjysma e këtij investimi t’i ngelen Tiranës, pasi do të vijojmë të kontribuojmë për këtë klub. Ka njerëz që duan t’i çojnë të ardhurat në shtëpinë e tyre. Unë jam i hapur dhe kam detyrim nga tifozëve, jam shumë i kujdesshëm që flas për ta. Rëndësi ka të jetë nga Shqipëria. Jam i gatshëm që të dëgjoj dhe tifozët me një takim të madh. Jam i gatshëm që t’i dëgjoj e të futen brenda. Nuk e kam unë në dorë, por jam i hapur për bashkëpunim. Kam 66% të aksioneve, pjesën tjetër e ka Bashkia. E dinë se ato aksione do të dalin në shitje. Unë jam për bashkëpunim. Unë jam i gatshëm që të jap aksionet e mia. Shpresoj që të ndoshta, të kemi një administrator, të hedhim financat dhe njerëzit të punojnë. Bëj tolerim, vetëm që të ecim para.
“Lutfi Nuri? Lutin e kam mik të familjes, pavarësisht se komentet janë të ndryshme. Unë e kam kënaqësi, por duhet të pyesim edhe Lutin, ta shohim si biznes. Duhet ta shohim më gjerë. Luti e ka portën e hapur, është edhe klubi i tij, është i të gjithëve atyre që kanë kontribuar.
Merkato – “Klubi ka nevojë siç e thonë edhe specialistët për disa ndërhyrje. 80% e skuadrës është e mirë, por duhet që stafi të jetë i guximshëm dhe ata që nuk e meritojnë për të luajtur t’u japin aq sa meritojnë. Duhet të marrim 2-3 lojtarë. Jam gati për këtë. Nuk jam i pakënaqur, edhe pse kemi pasur rezultate jo të mira. Unë jap mendimet e mia për atë çka më duket mua se nuk shkon, por stafi vendos. Kjo fitore na duhej dhe na qetëson. Me këtë ekip ka besim se do ecim para”.
Polemika për Partizanin në Selman Stërmasi – “Mora shumë goditje nga kjo gjë. Si tifoz nuk do pranoja, edhe pse do ishte gabim për moshën që kam. Për sa i përket atij takimi që bëmë bashkërisht dhe ramë dakord, është bërë jo me imponim, por atë stadium ma ka lënë babi im. Bëmë një marrëveshje dhe ndoshta këtu mora shumë goditje nga njerëz që më quajtën tradhtar e njeri i keq. Brezi i moshës time apo ish-sportistë që është normale. Ajo gjë ndodhi dhe në të ardhmen ky stadium të bëhet totalisht i ri.