Miliona turistë vizitojnë çdo vit Japoninë për të parë lulëzimin e qershive. Por tradita e soditjes së luleve aty ka një traditë shekullore. Pren Domgjoni, po i shijon vetë këto pamje dhe na ka dërguar këtë shkrim.
Prej shekujsh lulëzimi i qershisë është një moment mjaft i rëndësishëm për japonezët. Në fillim ky moment konsiderohej se sillte lajmin e ardhjes së kohës për mbjelljen e orizit. Njerëzit besonin se brenda kësaj peme ekziston një “Kami” (Zot) dhe filluan t’i ofrojnë lutje. Më vonë kjo ceremoni u shoqërua me sake (pija tradicionale japoneze e bërë nga orizi).
Nga kumbulla te qershia
Historia e soditjes së luleve në Japoni ka filluar me lulet e kumbullës, dhe në periudhën e Heianit rreth viteve 794 p.e.s. kjo traditë u shndërrua në soditjen e luleve të qershisë. Perandori Saga ishte ai i cili organizoi festën e parë me ushqime, muzikë, shkrim poezish, të frymëzuar nga lulet në Oborrin e Perandorit në Kioto (Kyoto).
Gjatë Periudhës së Perandorit Edo (1603-1868) në tërë Japoninë u mbollën shumë qershi. Gjatë kësaj periudhë kjo kulturë shënoi përhapje më të madhe. Në fillim organizimi i festës për lulëzimin e qershisë bëhej për aristokracinë dhe aty mblidheshin edhe njerëzit e artit, kurse më vonë kjo traditë mori përmasa tjera dhe filloi të festohej edhe nga njerëzit e thjeshtë.
Një nga pikat më popullore për soditjen e luleve të qershisë gjatë periudhës së perandorit Edo ishte Parku Ueno. Përmasa më të gjëra kjo kulturë mori gjatë shekullit XIX. Edhe tani në kohën moderne parku Ueno është një ndër pikat kryesore për vizitorët vendas dhe të huaj. Me miliona vetë e vizitojnë këtë park çdo stinë të pranverës për të soditur lulëzimin e qershive.
Ndikimi i luleve të qershisë në traditë, kulturë dhe art
Motivet me lulet e qershisë hasen kudo. Lulja e qershisë zë vend të rëndësishëm në kulturë, art, letërsi, poezi, veshje tradicionale dhe moderne etj. Edhe në kohët moderne dizajnime dhe dekorime me lule qershie shihen kudo, murale në shtëpitë tradicionale japoneze, kapakët e librave, mbështjellëset e fletoreve, e lapsave, të enëve të kuzhine, shkopinjve për ngrënie Po ashtu edhe në veshjet moderne lulet e qershisë dhe ngjyrat e lules së qershisë janë të pranishme, sidomos tek veshjet e femrave.
Qershitë dhe peizazhi
Kultivimi i kulturës së soditjes së qershive ka ndikuar shumë në pasurimin dhe zbukurimin e peizazhit në Japoni. Qershitë janë të pranishme kudo, në brigjet e lumenjve, përgjatë rrugëve, rrugicave, në parqe, kopshte. Në pranverë peizazhi merr një hije me ngjyrë rozë të lehtë që nga larg i ngjan një pikture me një peizazh të përkryer.
Edhe përfundimi i lulëzimit është i mrekullueshëm sepse rënia e petaleve të luleve të qershisë të jep ndjenjën e rënies së borës. Lumenjtë, përrenjtë, ujërat dhe rrugicat nën qershi, mbushen me petalet e luleve dhe marrin një pamje marramendëse ngjyrë rozë të lehtë.
Soditja e luleve të qershisë sot
Sot njerëzit nuk festojnë njëlloj si dikur, pra në mënyrë tradicionale, mirëpo lulet e qershisë mbeten të lidhura ngushtë me historinë kulturën dhe identitetin. Edhe sot gjatë kohës së lulëzimit të qershive organizohen festivale, turne, apo aktivitete të tjera. Lulëzimi i qershisë i bën njerëzit të dalin jashtë dhe të mblidhen me familje e miq. Ata shtrojnë një çarçaf dhe hanë e pinë; shumë shkojnë për të bërë fotografi dhe shijuar bukurinë që ofrojnë lulet e qershisë.
Simbolika e luleve të qershisë
Lulëzimi i qershisë është i përkohshëm, nuk zgjat shumë dhe lulet e qershisë janë delikate. Prandaj tek japonezët ato simbolizojnë delikatesën, bukurinë kalimtare dhe fisnikërinë e jetës njerëzore. Por ato simbolizojnë gjithashtu edhe miqësinë dhe aleancën.
Në vitin 1912 kryetari i Bashkisë së Tokios i dhuroi Uashingtonit 3000 fidanë qershie të cilat janë mbjellë në Uashington D.C. Tani, qershitë si pemë dekorative në parqe dhe kopshte, janë përhapur nëpër botë si në: Shtetet e Bashkuara, Kanada, Brazili, Gjermani, Turqi, Spanjë, Britani, Australi dhe më gjerë.
Rëndësia e trashëgimisë kulturore dhe natyrore për zhvillimin e turizmit
Lulëzimi i qershisë zë një vend të rëndësishëm në medie, TV, rrjete sociale, madje edhe parashikohet se kur do të jetë koha e lulëzimit të qershisë sipas zonave të ndryshme në Japoni. Meqenëse koha lulëzimit të qershive ndryshon nga viti në vit, kjo prognozë u ndihmon turistëve të planifikojnë udhëtimin për të shijuar lulëzimin e qershive.
Lulet e qershive përveç se shndërrojnë pothuajse tërë vendin në një peizazh të mrekullueshëm në fillimin e stinës së pranverës, i kanë bërë vendet dhe qytetet gjithashtu më tërheqëse për vizitorët vendorë dhe Japoninë më tërheqëse për turistët e huaj. Trashëgimia dhe tradita e soditjes së luleve të qershisë dhe organizimi i festivaleve në Japoni joshin vizitorë anekënd globit.
Industria e turizmit lulëzon me lulëzimin e qershive. Vlerësohet që çdo vit Japoninë e vizitojnë rreth 63 milionë turistë për të parë lulëzimin e qershive. Shuma që këta turistë shpenzojnë, vlerësohet të shkojë rreth 2.7 miliardë dollarë amerikan. Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe shfrytëzimi i drejtë i saj është një aset shumë me rëndësi për vendet që duan të përfitojnë nga turizmi. Ndër ato vende mund të jenë dhe Shqipëria apo Kosova duke i kushtuar më tepër kujdes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, historike, shpirtërore dhe natyrës e peizazhit./DW