Hap siparin Panairi i Librit “Tirana 2020” në edicionin e 23-të, me anë të një ceremonie të mbajtur në ambientet e jashtme të Muzeut Historik Kombëtar.
Panairi i Librit, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, do të zhvillohet online.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, në fjalën e tij tha se ky panair vjen për herë të parë online, por ne e përqafuam këtë aventurë.
“Pasi morëm përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, menduam të organizonim një panair, sipas formatit online. Një format i tillë është mbajtur edhe në Frankfurt, në Gjenevë, menduam t’i hyjmë kësaj aventure. Ideja e prit me entuziazëm nga shumë botues”, u shpreh Ymeri.
Por ndryshe nga një vit më parë, ku morën pjesë rreth 100 ekspozues, në këtë vit mungojnë botuesit nga trevat e tjera shqiptare, dhe sipas Ymerit numri i subjekteve pjesëmarrëse në panair është rreth 50.
“Nuk kemi pjesëmarrje fizike nga botuesit e Kosovës, por ata do të jenë online me ne”, tha Petrit Ymeri.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në fjalën e saj përshëndetëse tha se ky panair online do të na shërbejë edhe si ndryshim mendësie në botën e librit.
“Është një festë në një nëntor, që nuk e imagjinojmë pa panairin. E shikoj këtë nismë, panair online edhe si ndryshim mendësie drejt botës së librit”, tha ndër të tjera ministrja Margariti.
Gjatë këtyre ditëve do të bëhen më shumë se 60 aktivitete, duke nisur me debatin mbi “Artin e përkthimit dhe kontributin e letërsisë së përkthyer në kultivimin e shijeve të lexuesit”, te “Letërsia shqipe, zhvillimet dhe e ardhmja e saj në kohën e globalizmit”.
Edhe ditën e djeshme, organizatorët në një konferencë të mbajtur në instalacionin “Reja” para Galerisë Kombëtare, i mëshuan fort faktit se të gjithë ata që kanë një listë titujsh, veç mundësive për t’i blerë në libraritë kryesore të Tiranës do të mund t’i porosisin librat edhe online.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, thotë ndër të tjera se tradita e panairit në Tiranë do të vazhdojë dhe aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve mbi librin askush nuk do t’i humbasë, pasi do të shfaqen në disa projektorë të vendosura në pikat kryesore të kryeqytetit.
“Në qytetin e Tiranës tek disa pika do vendosen ekran led, ku do të shfaqen aktivitetet drejtpërdrejtë ose dhe të regjistruara, që mos të ketë përplasje”, tha mes të tjerave Petrit Ymeri.
Por këtë edicion, përveç librarive është bërë e mundur që librat të shiten online në disa platforma të stimuluara nga shtëpitë botuese, me ulje të konsiderueshme çmimesh. Mbështetëse të panairit të këtij viti janë Bashkia e Tiranës dhe Qendra Kombëtare për Librin dhe Leximin.
Panairi, i cili hapi siparin këtë të enjte në edicionin e tij të 23-të, do të mbyllet të dielën ku do të jetë dhe ndarja e çmimeve.