Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka prezantuar çeljen e Ankandit Ndërkombëtar për Parkun Energjetik Fotovoltaik prej 140 MW, që do të ndërtohet në zonën e Karavastasë dhe është pjesë e strategjisë së Qeverisë për diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme.
Parku do të shtrihet në bashkinë e Divjakës, në zonën Remas ku janë 122 hektarë tokë dhe në Bashkinë e Fierit, në zonën e Libofshës ku janë përfshirë edhe 76 hektarë të tjerë. Megjithëse është pagëzuar si Parku i Karavastasë, zona e ndërtimit të Parkut Fotovoltaik nuk ka të bëjë me lagunën e Karavastasë dhe projektuesit janë munduar t’i qëndrojnë sa më larg lagunës dhe zonës së mbrojtur.
Paketa e procedurave që do të ndiqen për këtë ankand është vlerësuar nga Ministrja Balluku si një paketë model, që ka marrë edhe mbështetjen e partnerëve strategjikë. Sipas saj, transparenca e siguruar përmes këtyre procedurave do të garantojë një pjesëmarrje dhe konkurrencë të madhe nga investitorët e huaj.
“Ky ankand shënon një gur të ri kilometrik përsa i përket procedurave të organizuara nga Qeveria Shqiptare. Kjo është një paketë model, e ndërtuar hap pas hapi me të gjithë ndihmën, mbështetjen dhe konsulencën e BERZH. U jemi përmbajtur plotësisht këshillave të tyre, të cilat kanë qenë të mirëargumentuara dhe kanë qenë rrjedhojë e praktikave më të mira në vende të tjera europiane për të njëjta procedura”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Një arritje e madhe e kësaj procedure është se nuk do të ketë një fazë negocimi mes OSHEE-së dhe fituesit të garës së ankandit pasi kontrata është pjesë e dokumentacionit të këtij ankandi dhe është e parandërtuar. Ndërkohë që brenda kësaj pakete ndodhet “Leja e Zhvillimit”, e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Afatet e procedurës së ankandit janë të mirëpërcaktuara dhe hapja e ofertave financiare të kompanive që do të kalojnë fazën e parë të kualifikimit, do të bëhet në datë 7 prill, në mënyrë të hapur për publikun, në një transmetim Live.
Energjia e rinovueshme është një nga çështjet kryesore, që diskutohet tashmë nga Komisioni Europian dhe për të cilën çdo shtet ka detyrimet e veta. Në këtë kuadër, problematika e energjisë së rinovueshme për Shqipërinë lidhet me varësinë që ajo ka nga moti dhe sasia e reshjeve, që furnizojnë më pas basenet e hidrocentraleve.
Diversifikimi i burimeve energjetike të rinovueshme do të ndihmonte në uljen e blerjeve nga importi, duke krijuar mundësi që të prodhojmë brenda vendit jo vetëm energji të rinovueshme nga hidrocentralet. “Ne kemi nisur një studim, bazuar në studimin e mëparshëm të Bankës Botërore, i cili e ndan Shqipërinë në tre zona, ku mund të ndërtohen parqet fotovoltaike dhe sigurisht të ndara sipas gjeografisë, sasisë dhe eficencës së prodhimit ditor të energjisë që këto zona mund të sjellin”, u shpreh Balluku.
Ministrja theksoi në prezantimin e saj se Parku i Karavastasë është parku më i madh fotovoltaik i planizuar për t’u ndërtuar në vend me 140 megavat. “Ky është një kapacitet i ndarë në 70 megavat për prodhim dhe shitje në treg të lirë, ndërkohë që 70 megavat do të jenë nën çmimin e rregulluar, ose ndryshe i njohur PPA. Çmimi i rregulluar do të zgjasë për 15 vite dhe sigurisht do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë”, tha Balluku.
Procedura dhe zona e përzgjedhur siguron një investim, i cili i kthehet shpejt investitorit, por nga ana tjetër duke i garantuar shtetit shqiptar një prodhim vendas me çmime të ulëta deri në 70 megavat.
Ky është një proces ankandi, dhe jo një tender, prandaj dhe çmimi prej 55 Euro për megavat, i paracaktuar në paketën e procedurave është çmimi tavan. Fituesi i ankandit do të jetë ai që do të ofrojë për çmimin e rregulluar ofertën më të ulët.
Duke filluar nga dita e sotme, të gjithë investitorët apo subjektet e interesuara do të kenë mundësinë të tërheqin dokumentacionin e ankandit, që tashmë është në dispozicionin e tyre.